OKB dënon sulmin izraelit në Bregun Perëndimor
Pars Today – Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) dënoi vazhdimin e operacioneve ushtarake izraelite në Bregun Perëndimor dhe i bëri thirrje Izraelit të ndalojë menjëherë "valën alarmante të dhunës dhe zhvendosjes masive të njerëzve".
Sipas IRNA, Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut vuri në dukje rifillimin e vrasjes së paligjshme të civilëve palestinezë që nga 21 janari 2025 dhe raportoi se forcat izraelite të sigurisë që nga ajo datë kanë vrarë të paktën 44 civilë, shumica e të cilëve ishin të paarmatosur dhe nuk përbënin ndonjë kërcënim. Zyra shtoi: "Midis viktimave është një grua shtatzënë që kërkoi strehim pasi burri i saj u qëllua dhe u plagos nga forcat izraelite dhe një djalë 10-vjeçar që u qëllua në gjoks në qytetin Tulkarm." Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut gjithashtu dënoi "përdorimin e paligjshëm të forcës" në këtë rajon ku "nuk ka konflikt aktiv" dhe nënvizoi rritjen e madhe të zhvendosjes së detyruar të njerëzve si rezultat i sulmeve të tilla. Në deklaratë thuhet se "çdo transferim ose dëbim i detyruar i njerëzve nga territoret e pushtuara është rreptësisht i ndaluar dhe sipas ligjit ndërkombëtar konsiderohet krim. Palestinezët e zhvendosur duhet të lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre." Zyra i bëri thirrje Izraelit të përmbushë detyrimet e tij sipas ligjit ndërkombëtar, përfshirë përfundimin e pranisë së tij të paligjshme në territoret e pushtuara palestineze dhe kërkoi tërheqjen e menjëhershme të tij nga të gjitha vendbanimet në Bregun Perëndimor. Gjithashtu, si fuqi pushtuese, Izraeli duhet të sigurojë mbështetje për palestinezët, përfshirë ofrimin e shërbimeve dhe nevojave bazë, si dhe respektimin e të gjithë gamës së të drejtave të njeriut për palestinezët.