Ukraina nuk u ftua për bisedimet SHBA-Rusi në Arabinë Saudite
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Kievi nuk është ftuar për të marrë pjesë në bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, që pritet të zhvillohen në Arabinë Saudite, për përfundimin e luftës së Moskës në Ukrainë.
Zelensky tha gjithashtu se Ukraina nuk do të bisedojë me Rusinë pa u këshilluar fillimisht me aleatët e vet evropianë.
“Ne nuk kemi asnjë dokument, asnjë ftesë. Për mua është e çuditshme të flas në këtë rast, në këtë mënyrë, nëse më parë nuk kemi zhvilluar asnjë bisedë mes vete si aleatë dhe partnerë strategjikë”, tha ai gjatë Konferencës së Sigurisë në Munih.
Reagimi i Zelenskyt vjen pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do ta dërgojë një ekip zyrtarësh së lartë amerikanë në Arabinë Saudite, për t’i filluar bisedimet me Rusinë, thanë zyrtarët amerikanë për media të ndryshme.
Zyrtarët amerikanë thanë për gazetarë më 15 shkurt se sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Mike Waltz, dhe negociatori për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, do të marrin pjesë në bisedime.
Mykhaylo Podolyak, këshilltar i lartë i Zelenskyt, tha se “nuk ka negociatorë që do ta përfaqësojnë Ukrainën në Arabinë Saudite”.
“Sot, nuk ka asgjë në tryezën e bisedimeve që mund të diskutohet. Rusia nuk është e gatshme për negociata”, tha ai për televizionin ukrainas pas komenteve të Zelenskyt më 15 shkurt.
Ndërkohë, liderët evropianë pritet të mblidhen javën e ardhshme në Paris për një takim urgjent në lidhje me luftën në Ukrainë.