Zelensky u përgjigjet akuzave të Trump
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se bisedimet e fundit në Arabinë Saudite midis zyrtarëve amerikanë dhe rusë ndihmuan Vladimir Putin të dilte nga vite të tëra izolimi politik.
Udhëheqësi ukrainas e tha këtë gjatë një konference për shtyp të mërkurën.
“Fakti që ata po diskutojnë çështjet e tyre dypalëshe në Arabinë Saudite – e kam thënë edhe më parë, kjo është e drejta e tyre. Megjithatë, unë besoj se Shtetet e Bashkuara e kanë ndihmuar Putinin të dalë nga izolimi shumëvjeçar”, tha Zelensky.
Zelensky tha se presidenti Trump “jeton në një flluskë dezinformimi” me përçarje të mbjellë nga Rusia.
“Fatkeqësisht, Presidenti Trump, me gjithë respektin për të si lider i një kombi që e respektojmë shumë… jeton në këtë flluskë dezinformimi”, shtoi ai.
Presidenti amerikan Donald Trump e ka quajtur homologun ukrainas Volodymyr Zelensky një “diktator” në një postim në Truth Social.
“Unë e dua Ukrainën, por Zelensky ka bërë një punë të tmerrshme, vendi i tij është shkatërruar dhe miliona kanë vdekur pa qenë nevoja”, ka shkruar Trump.
Ai tha se Zelensky, të cilin ai e quajti një “komedian modest i suksesshëm”, e kishte nxitur Amerikën të shpenzonte 350 miliardë dollarë për të “shkuar në një luftë që nuk mund të fitohej”.