Personalitete britanike dënojnë heqjen e dokumentarit mbi Gazën nga BBC
Një numër i personaliteteve të njohura britanike, aktorë, personalitete të televizionit dhe gazetarë kanë kritikuar vendimin e BBC-së për të hequr një dokumentar mbi jetën e fëmijëve në Gaza, duke thënë se ky veprim vjen nga paragjykime raciste.
Prezantuesi i BBC-së Gary Lineker, së bashku me aktorë të njohur si Ruth Negga, Riz Ahmed, Juliet Stevenson dhe Miriam Margolyes, janë disa nga ata që kanë nënshkruar një peticion për të kërkuar që dokumentari "Gaza! Si të mbijetosh në një Zonë Lufte" të rivendoset në BBC iPlayer.
Dokumentari, i cili u transmetua për herë të parë më 17 shkurt, fokusohet te jeta e një adoleshenti palestinez 14-vjeçar me emrin Abdullah al-Yazouri.
Peticioni thotë se sulmet ndaj Yazouri-t janë jo vetëm të pasinqerta dhe të rrezikshme, por gjithashtu injorojnë parimet thelbësore të mbrojtjes.
BBC-ja e hoqi dokumentarin duke thënë se babai i Yazouri-t, Dr. Ayman al-Yazouri, është zv.ministër i bujqësisë në Gaza.
“Kjo retorikë e gjerë e përgjithshme nënkupton se palestinezët që mbajnë pozita administrative janë natyrisht të përfshirë në dhunë; një klishe raciste që u mohon individëve njerëzishmërinë dhe të drejtën për të ndarë përvojat e tyre të jetës,” thotë peticioni.
Chris Doyle, drejtor i Këshillit për Kuptimin Arabo-Britanik, ka thënë se dokumentari u hoq pas presionit nga aktivistët anti-palestinezë, të cilët kryesisht nuk kanë treguar asnjë simpati për njerëzit në Gaza që vuajnë nga bombardimet masive, uria dhe sëmundjet.
Javën e kaluar, një grup prej 45 gazetarësh dhe profesionistësh hebrenj të medias, përfshirë ish-drejtoreshën e BBC-së Ruth Deech, rriti presionin ndaj transmetuesit duke dërguar një letër që kërkonte heqjen e dokumentarit nga iPlayer, duke e quajtur ministrin një lider terrorist.
Derimë tani, 735 persona kanë nënshkruar letrën që i bën thirrje BBC-së të ndalojë atë që ata e quajnë censurë mbi Palestinën, duke paralajmëruar se veprimet e transmetuesit dëmtojnë etikën gazetareske duke prioritarizuar presionin politik mbi interesin publik.