Sulm kibernetik ndaj disa ministrive të Gjermanisë
-
Sulm kibernetik ndaj disa ministrive të Gjermanisë
Pars Today – Zyra e Kancelarisë së Gjermanisë njoftoi se, pas një sulmi kibernetik, lidhja e disa ministrive me rrjetin e teknologjisë së informacionit të qeverisë gjermane është ndërprerë dhe hetuesit po përpiqen të parandalojnë përhapjen e sulmit dhe të përcaktojnë përmasat e tij.
Sipas Pars Today, cituar nga agjencia e lajmeve IRNA, Zyra e Kancelarisë së Gjermanisë njoftoi në një deklaratë të hënën se hetimet kanë evidentuar një cenim të sigurisë në rrjetin qeveritar të Berlinit. Të gjitha agjencitë përkatëse po punojnë gjatë gjithë kohës për të siguruar rrjetin qeveritar.
Autoritetet gjermane, si masë paraprake, shkëputën nga rrjeti disa ministri, përfshirë ministritë përgjegjëse për masat klimatike dhe ndërtimin e strehimin. Autoritetet gjermane ende nuk kanë publikuar informacion lidhur me ndërprerjen e mundshme të funksionimit të këtyre ministrive, si dhe për individin ose grupin përgjegjës për këtë sulm kibernetik.
Zyra e Prokurorisë së Përgjithshme të Berlinit, Zyra e Policisë Kriminale të landit dhe Zyra Federale për Sigurinë e Informacionit (BSI) po hetojnë këtë sulm.
Në deklaratë thuhet: “Siguria e rrjetit qeveritar gjerman është përparësia kryesore. Për arsye hetimore, aktualisht nuk mund të jepen informacione më specifike lidhur me përmasat apo historikun e këtij incidenti.”
Rrjeti që është sulmuar njihet me emrin "BeLa" dhe është një rrjet i sigurt me fibra optike me shpejtësi të lartë, i cili lidh rreth 600 institucione qeveritare dhe publike në të gjithë Gjermaninë. Ky sistem menaxhohet nga kompania ITDZ Berlin.
Ky sulm kibernetik ndodhi mes paralajmërimeve të përsëritura për rritjen e kërcënimeve kibernetike dhe hibride që synojnë institucionet qeveritare, bizneset dhe infrastrukturën kritike.
(Kërkoni video, na ndiqni: https://t.me/ParsTodayshqip)