Reagimi botëror ndaj grushtit të shtetit në Turqi
Shefja e diplomacisë evropiane, ka reaguar ndaj ngjarjeve të fundit në Turqi dhe ka kërkuar respektimin e vlerave të demokracisë.
Federika Mogherini shefe e diplomacisë evropiane në një mesazh në Twitter tha se është në kontakt të drejtpërdrejtë me përfaqësuesit evropianë në Turqi. Në një kohë kritike gjatë përleshjeve të mbrëmshme në Turqi, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka kërkuar nga të gjitha palët që ta mbështesin qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të presidentit, Rexhep Taip Erdogan dhe “të tregojnë përmbajtje dhe të evitojnë çfarëdo dhune apo gjakderdhje”, ka kumtuar Shtëpia e Bardhë. Sekretari amerikan i shtetit, John Kery, ka biseduar me ministrin e jashtëm të Turqisë, Mevlut Cavusoglu, dhe e ka theksuar mbështetjen absolute të Shteteve të Bashkuara për qeverinë. Këto mbështetje amerikane janë reflektuar edhe në deklaratat e liderëve të Bashkimit Evropian dhe të zyrës së kancelares gjermane, Angela Merkel. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë thirrje për respektim të plotë të institucioneve demokratike dhe të Kushtetutës së Turqisë. Edhe ministri i jashtëm i Anglisë ka këshilluar aparatet diplomatike në Turqi që të ruajnë qetësinë. Dimitri Peskov zëdhënës i Kremlinit tha se Moska po i ndjek me interesim ngjarjet në Turqi dhe kërkon përmirësimin sa më të shpejtë të situatës në këtë vend.