ISIS kërcënon Francën me sulme më të mëdha
Grupi takfirist terrorist ISIS me anë të një video-mesazhi të publikuar të mërkurën në rrjetet sociale ku paraqiten dy terroristë që flasin në gjuhën franceze, ka kërcënuar se do të shtojë sulmet e tij kundër Francës.
Agjencia e lajmeve AFP njoftoi se në këtë video-mesazh dy pjesëtarë të grupit terrorist ISIS kanë mirëpritur sulmin terrorist të 14 korrikut në qytetin Nice të Francës që shkaktoi vrasjen e 84 personave. Këta dy pjesëtarë të grupit terrorist ISIS në këtë video i presin kokën dy burrave të akuzuar për spiunazh kundër ISIS në favor të Francës. Kjo video është konfirmuar edhe nga qendra amerikane për vëzhgimin e faqeve takfiriste në internet "SITE". Kjo qendër beson se kjo video e ISIS është regjistruar në provincën Ninva në veri të Irakut. Një prej dy terroristëve të ISIS të pranishëm në këtë video i drejtohet presidentit dhe kryeministrit të Francës në gjuhën franceze duke i kërcënuar ata me shtimin e sulmeve kundër Francës. Vlen të theksohet se ISIS të shtunën mori përgjegjësinë për sulmin terrorist në Nice të Francës dhe ka theksuar se ky sulm është përgjigje ndaj kërkesave të ISIS për të sulmuar vendet pjesëmarrëse në koalicionin amerikan kundër ISIS në Irak dhe Siri. Franca është pjesëmarrëse e koalicionit të kryesuar nga Amerika i cili po sulmon pozicionet e grupit terrorist ISIS. Sipas ekspertëve, nuk duket se ISIS ka organizuar drejtpërdrejtë sulmet e fundit terroriste në Francës ose Gjermani, mirëpo ekziston mundësia që ISIS t'i ketë inkurajuar autorët e këtyre sulmeve dhe duke marrë përgjegjësinë për këto sulme, synon të zmadhojë edhe më tepër imazhin e tij të tmerrshëm.