Sulmi i armatosur në qendrën tregtare të Munihut
Raportet më të fundit tregojnë se sulmi i armatosur që u krye të premten pasdite në një qendër tregtare në Munih të Gjermanisë, ka shkaktuar vrasjen e 11 personave dhe plagosjen e disa të tjerëve.
Mediat gjermane kanë njoftuar se Ministria e Brendshme në shtetin e Bajernit të Gjermanisë ka deklaruar se numri i personave të vrarë gjatë sulmit të armatosur në qendrën tregtare të Munihut ka shkuar në 11 persona deri më tani, por ky numër mund të shtohet edhe më shumë. Forcat e sigurisë kanë shtuar masat e sigurisë në të gjithë qytetin e Munihut, sidomos rreth qendrës tregtare "Olympia". Qeveria e kancelares gjermane Angela Merkel ka mbajtur një mbledhje emergjente pas këtij sulmi të armatosur në Munih. Para kësaj, qeveria lokale në shtetin e Bajernit të Gjermanisë ka shpallur gjendje emergjente në Munih dhe është formuar shtabi i krizës për hetimin e kësaj çështje. Një video-film është publikuar nga sulmi i personave të armatosur kundër qytetarëve në qendrën tregtare Olympia ku sulmuesi me zë të lartë thotë: "Unë jam një qytetar gjerman dhe kam lindur në Gjermani". Si pasojë e këtij sulmi të armatosur, është ndërprerë funksionimi i metrosë së Munihut dhe në të gjitha spitalet e Munihut është shpallur gjendje emergjente. Sipas policisë së Gjermanisë, dëshmitarët okularë kanë thënë se kanë parë tre persona të armatosur në këtë qendër tregtare të cilët kanë shtënë me armë në drejtim të njerëzve. Një operacion i gjerë kërkimi nisi pas njoftimeve se të paktën tre persona të armatosur ishin përfshirë në sulm në qendrën Olympia. Trupi i pajetë i të dyshuarit u gjet rreth 1 kilometër larg qendrës tregtare dhe policia përdori robotët për të kontrolluar për mjete shpërthyese. Peter Altmaier, shef i stafit të kancelares gjermane, Angela Merkel, tha se motivi i sulmit është ende i paqartë. "Nuk mund të përjashtojmë se (sulmi) është i lidhur me terrorizëm, por as nuk mund ta konfirmojmë. Jemi duke bërë hetime në këtë drejtim", tha Altmaier.