Vizita e delegacionit parlamentar të Turqisë në Amerikë
Njëkohësisht me publikimin e lajmeve për dërgimin e një delegacioni parlamentar të Turqisë në Amerikë për të biseduar me funksionarët e këtij vendi për ekstradimin e Fethullah Gylen në Turqi, kryetari i Ankarasë ka paralajmëruar për rrezikun e terrorit kundër funksionarëve të Turqisë.
Malih Gukçek gjithashtu ka thënë se Amerika me ekstradimin e Fethullah Gylen tregon se nuk ka luajtur kurrfarë roli në prapaskenën e grusht shtetit ushtarak të pasuksesshëm të 15 korrikut. Kryetari i Ankarasë ka folur në mënyrë të hapur dhe të qartë për hyrjen e Turqisë në një periudhë të pasigurisë për funksionarët e këtij vendi në kohën kur qeveritarët e Turqisë kanë bërë të ditur për kthimin e stabilitetit dhe qetësisë në vend si dhe për vendosjen e situatës nën kontroll. Të gjitha këto janë në kohën kur disa media perëndimore duke transmetuar versione të ndryshme rreth grusht shtetit të fundit ushtarak në Turqi, përgjegjës për këto zhvillime të brendshme kryesisht e konsiderojnë Qeverinë e Ankarasë dhe strukturat e sigurisë së këtij vendi. Në këtë kuadër mund të përmendet versioni i transmetuar nga gazeta amerikane "Wall Street Journal" e cila thekson dështimin e strukturave të inteligjencës së Turqisë para grusht shtetit të pasuksesshëm në këtë vend. Kjo gazetë amerikane në lidhje me grusht shtetin e pasuksesshëm në Turqi ka raportuar se rrjeti i fuqishëm spiunazh i Turqisë pavarësisht se kishte arritur në disa burime dhe dëshmi të rëndësishme para ndodhjes së kësaj ngjarje, por nuk kishte arritur të parashikojë grusht shtetin në Turqi. Kjo gazetë duke cituar funksionarë të lartë të strukturave inteligjente, ka shkruar se disa muaj para organizimit të grusht shtetit të pasuksesshëm në Turqi, Organizata Spiunazhe e këtij vendi kishte depërtuar në dhomat e bisedave online "chat room" dhe ka deshifruar me miliona mesazhe sekrete, mirëpo nuk kishte arritur të gjejë kurrfarë shenja të sakta në lidhje me përpjekjet për grusht shtet. "Wall Street Journal" ka shkruar se paaftësia e strukturave inteligjente në zbulimin e përpjekjeve për organizimin e grusht shtetit në Turqi, tregon qartë kufizimet e Organizatës Inteligjente të Turqisë (MIT) dhe aktualisht kontrollimi i një sasie të madhe të komunikimeve elektronike me programe të koduara që kanë përdorur organizatorët e grusht shtetit, është shndërruar në një sfidë të vështirë për strukturat inteligjente të Turqisë dhe për shumë muaj këto struktura do të jenë të humbura në këtë fushë. Në anën tjetër, autoritetet e inteligjencës së Turqisë thonë se organizatat inteligjente të Amerikës që bashkëpunojnë me strukturat e inteligjencës së Turqisë, nuk kanë gjetur kurrfarë dokumenti dhe dëshmie rreth mundësisë së organizimit të një grusht shteti në Turqi. Uashingtoni më parë Turqinë e kishte vendosur në grupin e vendeve që kanë mundësi të përballen me destabilitet politik, mirëpo Amerika mendonte se kërcënimi për destabilizimin e Turqisë mund të vije nga militantët ekstremistë ose nga kurdët, ndërsa komandantët e ushtrisë së Turqisë nuk kishin kurrfarë pozite në këtë destabilizim të parashikuar.