Gjermania i kërkon Britanisë të largohet sa më shpejt nga BE
https://parstoday.ir/sq/news/world-i25015-gjermania_i_kërkon_britanisë_të_largohet_sa_më_shpejt_nga_be
Majkëll Rut, ministër për çështje evropiane në qeverinë e Gjermanisë, ka thënë se deri në fund të vitit 2016, Britania e Madhe duhet të largohet nga BE dhe kjo gjë nuk duhet të bëhet përmes presionit politik, sepse Britania është duke përjetuar një tjetër lloj presioni dhe ai është presioni ekonomik.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Gusht 17, 2016 16:19 Europe/Tirane
  • Gjermania i kërkon Britanisë të largohet sa më shpejt nga BE

Majkëll Rut, ministër për çështje evropiane në qeverinë e Gjermanisë, ka thënë se deri në fund të vitit 2016, Britania e Madhe duhet të largohet nga BE dhe kjo gjë nuk duhet të bëhet përmes presionit politik, sepse Britania është duke përjetuar një tjetër lloj presioni dhe ai është presioni ekonomik.

Vlen të theksohet se qytetarët britanikë më herët kanë votuar pro-daljes së Britanisë nga BE, i njohur ndryshe si referendumi i Brexit dhe tani disa anëtarë të BE-së i bëjnë presion këtij vendi që sa më shpejtë të shkëputet nga ky union. Sipas mediave angleze, Britania e Madhe mund të vazhdojë të jetë anëtare e Bashkimit Europian deri në fund të vitit 2019, një vit më vonë sesa parashikohej të ndodhte. Londra nuk mundet dot të evokojë nenin 50 të Traktatit të Lisbonës, që mundëson fillimin e bisedimeve zyrtare për largimin nga unioni të një shteti anëtar, pasi duket se nuk është e përgatitur ende, edhe pse kryeministrja e re Theresa May ka deklaruar se synon të fillojë negociatat në janar të vitit të ardhshëm. Por, sipas burimeve qeveritare, mësohet se ekipi negociator britanik nuk është ende në gjendje t’i fillojë këto negociata. Një arsye madhore për një shtyrje të tillë janë edhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare në dy vendet më të mëdha dhe më të rëndësishme të Bashkimit Europian, Gjermani dhe Francë, vitin e ardhshëm. Vonesa prej një viti do të egërsojë euroskeptikët britanikë, që fituan referendumin e qershorit. Edhe pse janë krijuar departamente të reja për “Brexit”-in, burime nga qeveria britanike bëjnë të ditur se situata në këto departamente është kaotike dhe nuk janë plotësuar me stafet e nevojshme për të përgatitur negociatat dhe procesin e daljes së Britanisë nga BE-ja. Edhe pse ministri i “Brexit”-it, Liam Fox mund të zhvillojë bisedime jozytare me partnerë potencialë tregtarë, sërish në aspektin ligjor atij nuk i lejohet të bisedojë zyrtarisht pa dalë më parë nga Bashkimi Europian. Nga ana tjetër, kryeministrja angleze deklaroi se Britania nuk do të nxitohet në daljen nga BE. Britania nuk ka ndërmend të aktivizojë nenin 50 të Traktatit të Lisbonës për t’i dhënë jetë nisjes së negociatave për largimin nga BE, pas referendumit të Brexit, para fillimit të vitit të ardhshëm. Këtë e ka theksuar sërish kryeministrja Theresa May në një seri bisedimesh telefonike me homologët e Holandës dhe Danimarkës, Mark Rutte dhe Lars Lokke Rasmussen. May ka nënvizuar se në këndvështrimin e saj është e nevojshme një periudhë kohore e përshtatshme për të favorizuar një proces të butë dhe të rregullt të daljes së Britanisë nga BE. Nga momenti i aktivizimit të nenit 50 të traktatit të Lisbonës do të nisin dy vitet e parashikuara nga traktati për të përfunduar negociatat e daljes.  Shefja e qeverisë britanike ka konfirmuar mes të tjerash objektivin për të ruajtur marrëdhënie dypalëshe pozitive si me BE-në në tërësi, ashtu dhe veç e veç me vendet anëtare të saj. Duket se ngurrimi i Britanisë për daljen nga BE është  ndikuar edhe nga qëndrimi i Skocisë që po kërkon të ndahet nga Britania dhe të mbetet në BE. Ministrja e Parë e Skocisë, Nicola Sturgeon, ka deklaruar se vendi i saj nuk dëshiron që të largohet nga Bashkimi Europian. Gjatë një takimi të mbajtur me Presidentin e Parlamentit Europian, Martin Schuls, ajo nënvizoi se Skocia mbështet idenë e ruajtjes së marrëdhënieve me BE-në. Mbi këtë çështje u prononcua edhe Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, i cili tha se Skocia e ka fituar të drejtën që të dëgjohet në Bruksel. Megjithatë, ai shtoi se BE-ja nuk ka në plan që të futet në çështjet e brendshme të Britanisë. Ndryshe nga pjesa më e madhe e Britanisë, 62% e qytetarëve të Skocisë mbështetën idenë e qëndrimit brenda Bashkimit Europian, ndërkohë që vetëm 38% prej tyre u shprehën pro daljes. Qëndrimi i Skocisë duket se e ka stepur qeverinë britanike, e cila tashmë po përpiqet të jetë më e kujdesshme dhe e duruar në zbatimin e procedurave për daljen e Britanisë nga BE.