BE i kërkon Rusisë dhe Ukrainës uljen e tensioneve
Bashkimi Evropian ka kërkuar uljen e tensioneve në marrëdhëniet mes Rusisë dhe Ukrainës.
Sipas një njoftimi të agjencisë franceze të lajmeve, Federika Mogherini, shefe e diplomacisë evropiane pasi shprehu mbështetjen e Brukselit për Ukrainën, kërkoi nga Kievi dhe Moska të marrin masat për uljen e tensioneve dhe për qetësimin e situatës. Rusia mund t’i ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Ukrainën, për shkak të pretendimeve ruse se Kievi po bën përpjekje për sabotazh në raport me Krimenë. Këto komente i ka bërë kryeministri rus, Dimitri Medvedev, raporton Reuters. “Ky është një akt i sabotazhit; në esencë është një krim që duhet të hetohet sipas procedurës së caktuar, dhe personat e përfshirë, e po ashtu edhe organizatorët, duhet të mbajnë përgjegjësi, pra përgjegjësi penale”, ka thënë Medvedev. Sa i përket ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike, Medvedev ka theksuar se nuk dëshiron që kjo të ndodhë, por ka shtuar se nëse nuk ka ndonjë mënyrë tjetër për ta zgjidhur situatën, atëherë presidenti mund të marrë një vendim të tillë, transmeton Reuters. Edhe Ministri i jashtëm i Gjermanisë shprehu shqetësimin e radhës nga përkeqësimi i marrëdhënieve mes Rusisë dhe Ukrainës. Frank Ëalter Steinmeier, ministër i jashtëm i Gjermanisë i cili u takua me homologun e tij rus Sergei Lavrov, nga qeveritë e Moskës dhe Kievit kërkoi të bëjnë të gjitha përpjekjet për të parandaluar një tjetër krizë mes tyre. Ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, dhe ai i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, u takuan më 15 gusht, ku diskutuan për konfliktet në Ukrainë dhe Siri. Ministria e jashtme e Rusisë ka dekaluar se takimi u mbajt në qytetin rus, Jekaterinburg. Tensionet ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës janë përshkallëzuar, pasi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e akuzoi Ukrainën për plane për sabotazh në gadishullin Krime, të cilin Rusia e ka aneksuar nga Ukraina në vitin 2014. Ministria e jashtme e Rusisë e ka paralajmëruar Ukrainën në lidhje me tensionet e fundit. Ministria e jashtme e Rusisë përmes një deklarate për opinion, ka njoftuar se me përpjekjet e Organizatës për sigurinë federale të Rusisë, janë parandaluar disa sulme terroriste të forcave ukrainase, që kishin si synim të qëllonin qendrat kryesore të gadishullit të Krimesë. Ministria e jashtme e Rusisë në vazhdim ka thënë se zyrtarët ukrainas përmes deklaratave të tyre, e përkeqësojnë edhe më shumë gjendjen momentale dhe i ka bërë thirrje që të ndalojnë dhënien e deklaratave që nxisin konfliktin. Në operacionet e forcave ruse për parandalimin e ushtarëve ukrainas në gadishullin e Krimesë, dy ushtarë rusë janë vrarë.