Vazhdon gjuetia e puçistëve në Turqi
(last modified Sat, 20 Aug 2016 18:42:58 GMT )
Gusht 20, 2016 20:42 Europe/Tirane
  • Vazhdon gjuetia e puçistëve në Turqi

Qeveria turke po vazhdon valën e arrestimeve ndaj personave që dyshohen se bashkëpunojnë me Fethullah Gulen, i akuzuari kryesor për grusht-shtetin e dështuar në Turqi.

Tetëmbëdhjetë punonjës të kryeministrisë në Turqi janë ndaluar ditën e sotme me urdhër të Prokurorisë së Ankarasë, si pjesë e hetimeve të tentativës për grusht shteti në 15 korrik. Agjencia e lajmeve Anadolu njoftoi se arrestimet ishin pjesë e një hetimi të përbashkët nga ana e departamentit të policisë Ankarasë, anti-kontrabandës dhe krimit të organizuar, si dhe Zyrës së Prokurorit Publik të Ankarasë. Mes të ndaluarve ka edhe specialistë të kryeministrisë. Ndërkohë personat e ndaluar pas kontrollit shëndetësor do të dalin përpara gjykatësit për masën e arrestit. Nga ana tjetër, një gjykatë në Stamboll urdhëroi arrestimin e gazetarit dhe shkrimtarit të njohur në vend Asli Erdogan pasi akuzohet se ka qenë pjesë e një organizate të armatosur terroriste. Gazetari i njohur ka punuar për median pro kurde Ozgur Gundem, që është mbyllur me urdhër të Presidentit Erdogan ditën e enjte.  Gazetari është vënë menjëherë në pranga pas marrjes në pyetje. Që prej tentativës së dështuar të grushtit të shtetit, më shumë se 35,000 njerëz po mbahen në pyetje dhe më shumë se 17.000 janë arrestuar për t’u përballur me gjyqin, duke përfshirë ushtarë, policë, gjyqtarë dhe gazetarë. Më shumë se 50.000 persona në Turqi janë arrestuar ose shkarkuar nga detyra pasi autoritetet dyshojnë se janë të përfshirë në tentativën për rrëzimin e qeverisë përmes një grushti shteti. Sigurisht që pjesa më e prekur nga ky total kanë qenë afro 6.000 ushtarët e arrestuar të cilët do të jenë në pritje të një vendimi nga gjykata. Qeveria turke ka komunikuar se të gjithë këta persona janë përkrahës të klerikut Fethullah Gulen, i cili është akuzuar zyrtarisht nga qeveria turke si personi që ka mbështetur organizimin e grushtit të shtetit. Turqia ka dërguar një kërkesë zyrtare për ekstradimin e klerikut nga Shtetet e Bashkuara dhe po shqyrtohet nga ekspertët amerikanë. Për këtë çështje, Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ka zhvilluar edhe një bisedë telefonike me homologun e tij Barak Obama, të cilit i ka kërkuar mbështetje në këtë çështje. Kjo nuk është hera e parë që Turqia i kërkon Shteteve të Bashkuara ekstradimin e Fetullah Gylen, person që kryeson listën e terroristëve më të kërkuar nga autoritetet turke. Dy ditë më parë, Erdogan ka akuzuar klerikun Fethullah Gulen dhe ndjekësit e tij si organizatorët e sulmeve të njëpasnjëshme me bomba në lindje të Turqisë, si dhe PKK-në kurde, por edhe ISIS, duke vendosur shenjën e barazimit mes tyre. Megjithatë, vala e arrestimeve dhe burgosjeve në Turqi ka shkaktuar kritika të shumta në qarqet politike dhe mediatike ndërkombëtare, por kjo nuk e ka penguar qeverinë e Ankarasë të vazhdojë gjuetinë e personave që dyshohet se kanë marrë pjesë në grushtin e shtetit.

 

Tags