Kryebashkiaku i Londrës kërkon dorëheqjen e Corbyn
Kreybashkiaku i ri i Londrës, Sadiq Kahn i ka kërkuar anëtarëve të partisë së tij Laburiste në opozitë që të mos votojnë për kryetar të ri të partisë udhëheqësin aktual Jeremy Corbyn.
Në një shkrim të botuar në gazetën e së djelës “The Observer”, Kahn paralajmëron se Partia Laburiste e opozitës “nuk mund të vazhdojë dot më si deri më tani”, duke kërkuar largimin e Corbyn nga drejtimi i partisë gjatë zgjedhjeve në parti që zhvillohen muajin e ardhshëm. Këto zgjedhje ribëhen sërish pasi Corbyn humbi votëbesimin në Parlament nga 80% e grupit të tij parlamentar, por duket se gëzon mbështetjen e një pjese të partisë, kryesisht militantë dhe ekstremistë të majtë, si dhe sindikatave britanike që kanë një rol të fuqishëm në financimin e Partisë Laburiste. Corbyn është kritikuar për qëndrimin e tij indiferent ndaj Brexit-it. Kryetari laburist ka thënë që Britania duhet ta aktivizojë nenin 50 “menjëherë” për të dalë nga BE. Ai nuk ka thënë se çfarë marrëdhënie duhet të ketë Britania me Evropën. Gjashtëmbëdhjetë milionë britanikë kanë votuar për qëndrim. Corbyn nuk ka mundur të bëjë kampanjë për BE-së si një ide fisnike që përfaqëson përpjekjet më të mira për ndërtimin e bashkëpunimit ndërkombëtar. Ai është përqendruar më shumë në rolin e BE-së në ndihmën për përfitime klasore – të drejtat e punëtorëve dhe liria e lëvizjes së fuqisë punëtore. Nëse Corbyn qëndron si lider, shumë deputetë laburistë do të japin dorëheqje, duke shkaktuar përçarje. Pra do të kemi një pakicë deputetësh të cilët do t’i mbesin besnikë vizionit të tij. Kryebashkiaku popullor i Londrës, i cili deri më tani nuk është pronuncuar se cilin kandidat për kryetar partie mbështeste, sot ka përkrahur publikisht rivalin e Corbyn , ish-ministrin hije për çështjet e Punës dhe Pensioneve, Oëen Smith. Në artikullim e tij, Sadiq Kahn thekson se udhëheqësi laburist “ka humbur besimin dhe respektin e britanikëve”, duke thënë se mungesa e lidershipit u bë më e qartë gjatë referendumit për daljen e Britanisë nga BE-ja. Sipas tij, udhëheqësi laburist i opozitës ka nivelet më të ulëta në sondazhet e opinionit publik të një lideri të opozitës deri më sot dhe se kjo parti po vuan mjaft si rezultat. “Referendumi ishte një test ku Corbyn dështoi totalisht. E përse gjërat do duhet të jenë ndryshe në zgjedhjet e përgjithshme?”, pyet kryebashkiaku i ri i Londrës. Partia Laburiste është në një krizë të madhe që pas referendumit, ku Jeremy Corbyn nuk bëri fushatë të fuqishme pro qëndrimit, çka ai e hedh poshtë. Corbyn mbetet favorit për të fituar sërish në zgjedhjet në parti për udhëheqësin e ri të opozitës më 24 shtator, ku kritikët e tij thonë se një fitore e tij sërish është prelud i një humbjeje katastrofike në zgjedhjet e reja të përgjithshme apo të parakohshme.