Turqia merr masa për ndalimin e hyrjes së refugjatëve sirianë
Kryeministri turk deklaroi se vendi i tij do të marrë masa për ndalimin e hyrjes së refugjatëve sirianë në Turqi.
Benali Yildirim tha se nga pikëpamja e Ankarasë, kalimi i paligjshëm i kufirit është krim që duhet dënuar. Ai shtoi se ushtria turke ka marrë të gjitha masat për të mos lejuar asnjë sirian të futet në territorin e Turqisë. Nga ana tjetër, Bashkimi Europian lançoi këtë herë programin humanitar më të madh në historinë e unionit, me një vlerë totale prej 348 milionë eurosh, e që ka të bëjë me një “sistem tërësisht inovativ”, përmes të cilit bëhet transferimi i parave drejtpërdrejt te refugjatët sirianë në Turqi. Paratë, siç shpjegoi edhe Komisioneri europian për Krizat Humanitare, Christos Stylianides, do të kalojnë drejtpërdrejt te kartat e kreditit çdo muaj, për t’u lejuar atyre të plotësojnë të gjitha nevojat e tyre personale. “Bëhet fjalë për një sistem inovativ të zhvilluar falë bashkëpunimit me autoritetet e Ankarasë”, ka nënvizuar komisioneri, një program që do të kryhet përmes “Programit Botëror të Ushqimit”. Stylianides thekson se sistemi i ri mund të përfaqësojë një “kthim historik” në skemën e ndihmave humanitare, sepse “redukton kostot e ndërmjetësimit dhe shumëfishon efektet”.