Paralajmërim serioz nga Korea e Veriut
Në një kohë kur SHBA dhe Korea e Jugut i kanë shtuar manovrat e përbashkëta në Gadishullin Korean, Korea e Veriut kreu testin e pestë bërthamor me qëllim që ta detyrojë Amerikën të pranojë se Korea e Veriut është një fuqi bërthamore që ka të drejtë të mbrohet përballë cdo agresioni.
Pheniani testin bërthamor e cilësoi si një grusht të rëndë të popullit dhe partisë komuniste ndaj Amerikës dhe forcave agresore që me sanksione, presione dhe kërcënime përpiqen të gjunjëzojnë Korenë e Veriut. Vendi komunist bëri të ditur se tani e tutje do të ishte në gjendje të montonte një pajisje bërthamore në raketa balistike. Vlerësimet për fuqinë shpërthyese variojnë. Sipas ushtrisë koreanojugore bëhet fjalë për 10 kiloton, mjaftueshëm për ta bërë atë testin më të madh bërthamor të Veriut. Kjo sipas ekspertëve ka shkaktuar edhe lëkundjen sizmike prej 5.3 ballë të shkallës rihter. Të tjerë thonë se treguesit fillestar sugjeronin 20 kiloton apo më shumë. Nga pikëpamja e Koresë së Veriut, ky test bërthamor forcon fuqinë mbrojtëse të vendit përballë kërcënimeve të shtuara të SHBA dhe Koresë së Jugut. Pheniani nëpërmjet zhvillimit të raketave balistike dhe armëve bërthamore përpiqet t'a bindë Amerikën të heqë dorë nga politikat armiqësore kundër Koresë së Veriut. Por presidenti amerikan Barack Obama, e quajti testin bërthamor “një kërcënim të rëndë” ndaj sigurisë rajonale dhe paqes ndërkombëtare, ndërsa shtoi se do të punojë me partnerët e Shteteve të Bashkuara për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Phenianit. “Për të qenë i qartë, Shtetet e Bashkuara nuk e pranojnë dhe nuk do ta pranojnë kurrë Korenë e Veriut si një shtet me armë bërthamore”, tha Obama përmes një deklarate. Presidenti amerikan tha se kishte folur në telefon me udhëheqësit e Koresë së Jugut dhe Japonisë, të cilët ranë dakord të punonin së bashku me vende të tjera “për të ndërmarrë hapa të tjerë domethënës, përfshi sanksione të reja, për t’i treguar Koresë së Veriut se do të përballet me pasojat e veprimeve të saj të paligjshme dhe të rrezikshme”. Nga ana tjetër, në një mbledhje urgjente me dyer të mbyllura të mbajtur vetëm pak orë pas testimit të një bombe bërthamore nga Koreja e Veriut, anëtarët e Këshillit të Sigurimit pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara kanë rënë dakord për të shtuar sanksionet ndaj Penianit. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, duke dënuar testin e fundit bërthamor të Koresë Veriore, tha se Këshilli i Sigurimit të OKB-së duhet të qëndrojë i bashkuar dhe të marrë masat e duhura kundër Koresë së Veriut. “Ne duhet të ndalojmë urgjentisht këtë spirale të përshpejtuar të përshkallëzimit të Koresë së Veriut lidhur me testet bërthamore”, tha Ban. Shefi i OKB-së, një ish-ministër i Jashtëm i Koresë së Jugut, tha se i vjen keq që dëshira dhe iniciativa e tij për të përmirësuar situatën në Gadishullin Korean nuk është materializuar. Testi bërthamor i Koresë së Veriut u dënua ashpër edhe nga Korea e Jugut dhe Japonia. Këto dy vende në të cilat janë dislokuar mbi 90 mijë trupa amerikane, e kanë kuptuar se Korea e Veriut nuk i kryen testet bërthamore vetëm për demonstrim force, por e ka kuptuar qartë rrezikun që vjen nga këto dy vende fqinje. Kina mendon se testi bërthamor i Phenianit i jep pretekstin e nevojshëm Amerikës për të shtuar praninë e saj ushtarake në Azinë juglindore dhe për dislokimin e sistemit raketor TAD në këtë rajon. Sidoqoftë, testi bërthamor i Koresë së Veriut ishte një paralajmërim serioz ndaj të gjithë atyre që ndjekin politika armiqësore ndaj vendit komunist.