Medvedev kritikon rolin e Evropës në përhapjen e terrorizmit
Kryeministri i Rusisë Dimitri Medvedev në një intervistë të tij ka kritikuar rolin e Evropës në përhapjen e terrorizmit. Ai tha se ngjarjet terroriste në Evropë janë për shkak të këndvështrimit sipërfaqësor të BE ndaj çështjes së emigracionit. Sulmet terroriste në Evropë janë rezultat i politikave jo transparente të BE dhe për këtë është e nevojshme një rrugëzgjidhje e veçantë për ruajtjen e unitetit të BE.
Siç tha kryeministri i Rusisë, me miliona njerëz kanë shkuar në Evropë për shkak të politikave të emigracionit në një kohë kur shumë prej tyre kanë kultura dhe tradita të ndryshme me evropianët dhe në mesin e këtyre emigrantëve gjenden radikalë dhe terroristë që kanë krijuar probleme për Evropën. Mesa duket Rusia e cila është e përkushtuar tek BE, tani po analizon problemet e unionit dhe kërkon zgjidhjen rrënjësore të kërcënimeve terroriste duke njohur shkaqet dhe arsyet kryesore të shfaqjes së tyre. Siç tha kryeministri rus, emigracioni drejt Evropës që vitet e fundit është shtuar shumë, është një prej arsyeve të shfaqjes së fenomenit të terrorizmit në Evropë. Kjo çështje është për shkak të miliona emigrantëve të cilët që nga viti 1950 kanë emigruar si forcë punëtore nga Afrika, Azia jugore dhe Turqia në drejtim të Evropës dhe janë vendosur në vende si Franca, Gjermania dhe Anglia. Tani në Evropë jetojnë brezi i tretë i këtyre emigrantëve. Një nga problemet me të cilat janë përballur emigrantët në vendet evropiane është mos bashkimi i tyre me shoqëritë evropiane. Shumica e emigrantëve janë detyruar të jetojnë në periferi të qyteteve dhe në vende të caktuara. Ndërkohë fëmijët e tyre janë rritur në kushte jo të përshtatshme, pa pasur mundësi që të ndjekin arsimin dhe në të njëjtën kohë janë konsideruar shtetas të dorës së dytë. Të tilla shkaqe i kanë përballur emigrantët me probleme spirituale dhe sociale dhe kjo ka krijuar kushtet që ata të pranojnë mendimet radikale dhe të dhunshme. Grupe terroriste dhe radikale si ISIS shumë lehtë mund të gjejnë përkrahës tek brezat e dytë dhe të tretë të emigrantëve. Pasojat e përgjakshme të këtyre rrjedhave mund të vihen re në shumë vende evropiane. Shembull i qartë janë sulmet e njëpasnjëshme në Francë dhe më pas në Belgjikë dhe Gjermani, sulme që kanë lënë me dhjetëra persona të vrarë e të plagosur. Pikëpamja e kryeministrit rus mbi politikat evropiane të emigracionit, përmblidhet në këtë çështje. Shumë shërbime të sigurimit në Evropë kanë folur se me mijëra shtetas evropian u janë bashkuar grupeve radikale dhe të dhunshme. Qendra për luftën kundër terrorizmit në Evropë, thotë se me mijëra shtetas evropian i janë bashkuar grupit terrorist ISIS.