De Mistura: ''Për të ardhmen e Asadit vendos populli sirian''
I dërguari special i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Stefan de Mistura, e ka lavdëruar “rënien e rëndësishme të dhunës” në Siri pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes për ndaljen e armiqësive.
“Situata është përmirësuar në mënyrë dramatike”, tha zoti de Mistura dhe ka shtuar se nëse armëpushimi vazhdon të respektohet, atëherë “shumë shpejtë” do të dërgohen ndihma për sirianët e bllokuar. De Mistura tha se armëpushimi, qysh të hënën, është mbajtur në mënyrë të konsiderueshme. I dërguari special i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, tha se “ka problem” në dërgimin e ndihmave humanitare në Siri, pavarësisht marrëveshjes për armëpushim të ndërmjetësuar nga SHBA-ja dhe Rusia. Mësohet se 40 kamionë me ushqime dhe furnizime të tjera presin në kufirin turk. Prioritet për ndihma është qyteti i Alepos në Siri, ku ndodhen të bllokuar rreth 250,000 banorë. Sergei Lavrov, ministri i punëve të jashtme të Rusisë dhe homologu i tij amerikan të mërkurën kanë rënë dakord për zgjatjen edhe për 48 orë të armëpushimit në Siri me qëllim të shtimit të ndihmave humanitare. Mark Tuner, zëdhënësi i DASH, deklaroi: "Gjatë bisedimeve mes shefave të diplomacisë së Amerikës dhe Rusisë, të dy palët kanë rënë dakord për zgjatjen edhe për 48 orë të armëpushimit në Siri". Departamenti Amerikan i Shtetit shtoi se objektiv i operacioneve të përbashkëta të ardhshme me Rusinë janë grupet terroriste Fronti Nusra dhe ISIS. Në bazë të marrëveshjes së arritur mes Rusisë dhe Amerikës, armëpushimi i ri në të gjitha rajonet e Sirisë ka filluar të zbatohet ditën e hënë dhe ka përfunduar të mërkurën në ora 19:00. I dërguari special i Kombeve të Bashkuara për Sirinë në konferencën për shtyp në Gjenevë kërkoi fillimin e negociatave mes qeverisë dhe opozitës siriane për gjetjen e një zgjidhje politike për krizën në Siri. I pyetur për të ardhmen politike të presidentit sirian Bashar Asad, De Mistura u përgjigj se ''vetëm populli sirian me mjete demokratike mund të vendosë për të ardhmen e presidentit Bashar Asad.'' Duhet theksuar se kundërshtimi i rolit të Bashar Asad në të ardhmen politike të Sirisë ka qenë një nga faktorët e shkallëzimit të krizës në Siri. Amerika dhe të gjitha grupet dhe vendet që kërkojnë me ngulm largimin e presidentit sirian nga pushteti, gjithmonë kanë injoruar vullnetin e popullit sirian. SHBA dhe grupet e përkrahura nga Uashingtoni nuk kanë qenë korrekte as në respektimin e marrëveshjes së fundit për armëpushim. Rusia ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për mospërmbushje të obligimeve në bazë të marrëveshjes për armëpushim në Siri. Zëdhënësi i ushtrisë ruse, Igor Konashenkov, tha se Uashingtoni përdor "perde verbale" për të fshehur hezitimin e tij për të frenuar grupet e opozitës që i mbështet. Megjithatë, ende pa hyrë në fuqi armëpushimi, duket se ka shenja problematike me këtë plan. Në një kohë që qeveria e Damaskut ka respektuar armëpushimin, grupet e armatosura opozitare, qoftë ato të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre, e deri tek ato që kanë lidhje me “Al Kaedën”, kanë krijuar një aleancë për të luftuar ushtrinë siriane. Kjo dëshmon se edhe ato grupe që Uashingtoni i quan "të moderuara", në fakt janë grupe terroriste që në metodat dhe qëllimet e tyre nuk kanë asnjë ndryshim nga ISIS, Al Nusra apo Ahrar al-Sham.