Forcat turke vrasin 5 militantë të PKK
Në një sulm të forcave të ushtrisë turke janë vrarë 5 militantë të Partisë Punëtore të Kurdistanit.
Operacioni i forcave turke është zhvilluar në rajonin Shindeli në afërsi të kufirit me Iranin dhe Irakun. Operacioni kishte për qëllim hakmarrjen ndaj vrasjes së Ahmet Budak, një prej funksionarëve të partisë në pushtet AK, i cili u vra të mërkurën nga militantët kurdë. Nga ana tjetër, mësohet se përleshjet në lindje të Turqisë kundër militantëve kurdë kanë shkaktuar vdekjen e 10 anëtarëve të forcave turke të sigurisë, njoftoi sot agjencia zyrtare turke e lajmeve, Anadolu Agency. Në mesin e të vdekurve ishin shtatë roja të provincës, një lloj milicie proqeveritare dhe dy anëtarë të forcave zyrtare të sigurisë. Një roje në pension u vra gjithashtu. Burimet kurdë deklaruan se në luftimet e zhvilluara në rajonin Agri janë vrarë 30 pjesëtarë të forcave turke të sigurisë.