Protesta kundër racizmit në SHBA, 12 policë të plagosur
12 oficerë të policisë amerikane janë plagosur gjatë protestave të nxitura pas vrasjes së një njeriu me ngjyrë në Charlotte, në Karolinën Veriore.
Protestuesit shkatërruan makinat e policisë përqark bllokut të apartamenteve ku ndodhën të shtënat. Raportohet se njëri prej oficerëve është goditur me gur në fytyrë. Protestuesit e zemëruar, bllokuan rrugët ndërkohë që policia u detyrua të përdorte gaz lotsjellës ndaj tyre. Më herët gjatë të martës, Keith Lamont Scott, 43 vjeç u qëllua për vdekje nga një polic i Departamentit të Policisë së Charlotte. Sipas oficerëve, ai mbante në dorë një armë, gjë që e bënte atë një kërcënim të pashmangshëm vdekjeprurës, por të afërm të Scott thanë për mediat lokale se ai në të vërtetë po mbante një libër. Oficeri i cili hapi zjarr ndaj Scott, është vënë nën leje administrative sipas protokollit policor. Ndërkohë, e bija e Scott, thotë se ai ishte i çarmatosur dhe për më tepër, i gjymtuar. Policia nuk i është përgjigjur këtyre pretendimeve por thotë se ka sekuestruar një armë në vendngjarje. Problematika e vrasjes së personave me ngjyrë nga oficerët e policisë është një ndër temat më të nxehta të debatit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku gjatë këtij viti janë shënuar një numër i madh rastesh të tilla të cilat kanë nxitur protesta kudo në vend.