Gjendje e jashtëzakonshme në Charlotte të SHBA, vritet protestuesi
Guvernatori i Kalifornisë Veriore ka shpallur gjendjen e emergjencës në qytetin e Charlotte, për shkak të protestave të dhunshme në vend.
Demonstrues të zemëruar mbi vrasjen e një afro-amerikani ditën e martë, kanë dalë në rrugë për herë të dytë, por protesta e tyre ka dalë jashtë kontrollit dhe ka detyruar policinë të ndërhyjë për shpërndarjen e tyre. Raportohet se një protestues ka vdekur nga dhuna e forcave policore. Guvernatori i Kalifornisë Veriore ka shpallur gjendjen e emergjencës në qytetin e Charlotte, duke dërguar edhe Gardën Kombëtare, pasi në vend vazhdojnë protestat për vrasjen e afro-amerikanit Keith Lamont Scott nga një oficer i policisë. Prej 2 netësh, protestat kanë dalë jashtë kontrollit, teksa kanë degraduar edhe në dhunë. Policia përdori gaz lotsjellës, teksa përballej me qindra demonstrues të zemëruar mbi vdekjen e 43-vjeçarit Scott, i cili u vra nga policia të martën. Në protestat e ditës së parë, mbetën të plagosur 16 oficerë të policisë dhe dhjetëra protestues. Nata e dytë e protestave kishte filluar paqësisht por demonstrata u ndërpre nga një e shtënë me armë, e cila për pasojë plagosi një protestues që ndodhet në gjendje kritike për jetën. Protestuesit kanë hedhur sende të forta dhe fishekzjarre ndaj oficerëve, të cilët hodhën gaz lotsjellës e granata për të shpërndarë turmën. Përdorimi i dhunës vdekjeprurëse të policisë ndaj afro-amerikanëve është kthyer në subjektin e shumë protestave përqark Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këto 2 vitet e fundit. Vetëm gjatë kësaj jave, policia ka vrarë 3 afro-amerikanë, teksa vrasja e Lamont ishte edhe ajo që nxiti protestat e dhunshme në Charlotte.