Kerry dhe Lavrov grinden në OKB
Rifillimi i luftimeve në Siri u bë shkak për një grindje verbale mes shefave të diplomacive të SHBA dhe Rusisë në Këshillin e Sigurisë së OKB.
Sekretari i DASH John Kerry e akuzoi Rusinë për lojëra fjalësh dhe kërkoi që Moska të marrë përgjegjësinë për sulmin kundër kamionëve me ndihma humanitare në Alepo. Duke iu përgjigjur me tone të ashpra homologut të tij amerikan, Sergej Lavrov tha se Amerika është bërë shkak për ndezjen e zjarrit në Siri, sepse gjithmonë përkrah terroristët. Tonet e përdorura nga shefat e diplomacive të SHBA dhe Rusisë në Këshillin e Sigurisë së OKB kanë qenë të pazakonta në takimet e mëparshme të tyre dhe kjo dëshmon për thellimin e mosmarrëveshjeve mes dy fuqive të mëdha dhe për zbehjen e gjasave për paqe në Siri.