Akuza të ashpra të Indisë ndaj Pakistanit
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, e ka akuzuar Pakistanin për përpjekje për destabilizim të Azisë duke eksportuar terrorizëm.
Këto kritika u bënë pas sulmit vdekjeprurës të 18 shtatorit kundër një kampi ushtarak të Indisë në Kashmir, për të cilin Nju Delhi e fajëson Pakistanin. Nga ky sulm janë vrarë 18 ushtarë të Indisë. Modi theksoi se aksionet e Pakistanit po e prekin Indinë, Bangladeshin dhe Afganistanin. “Ekziston një shtet në Azi, qëllimi i të cilit është përhapja e terrorizmit dhe po punon për të siguruar se shekulli i 21-të nuk i takon Azisë”, tha Modi në një referencë të qartë për Pakistanin. Për një kohë të gjatë India e ka akuzuar Pakistanin për mbështetje të grupeve militante në Kashmirin kontestues dhe për dërgimin e luftëtarëve në pjesët e tjera të vendit për të kryer akte të dhunës.