Racizmi, plagë e vjetër e shoqërisë amerikane
(last modified Sun, 25 Sep 2016 17:36:59 GMT )
Shtator 25, 2016 19:36 Europe/Tirane
  • Racizmi, plagë e vjetër e shoqërisë amerikane

Autoritetet e policisë në qytetin Charlote të shtunën nën presionin e protestave qytetare, publikuan dy video nga çasti kur oficeri i policisë qëllon me armë Keith Scott, burrin me ngjyrë 43 vjeçar.

Ngjarja kishte ndodhur javën e kaluar dhe ka rezultuar me protesta qytetare në këtë qytet. Njëra prej këtyre videove ishte marrë nga kamera e vendosur në uniformën e njërit prej oficerëve të policisë dhe tjetra është marrë nga kamera e vendosur në makinën e policisë. Në këto video vërehet se Keith Scott zbret nga makina e tij dhe rrëzohet në tokë, mirëpo këto video nuk tregojnë se Keith Scott a ishte i armatosur ashtu siç pretendoi policia ose jo. Policia e qytetit Charlote pretendoi se Keith Scott ka qenë i armatosur, mirëpo familja e këtij burri me ngjyrë thekson se ai nuk ishte i armatosur, por ishte duke lexuar libër në makinën e tij kur oficeri i policisë ishte afruar pranë tij dhe e kishte vrarë atë duke e qëlluar me plumb. Kjo vrasje u bë shkak që edhe qyteti Charlote të shndërrohet në një vend të sjelljes diskriminuese të policisë amerikane ndaj minoriteteve. Mijëra protestues amerikanë dolën në rrugët e qytetit Charlotte dhe kanë protestuar kundër sjelljeve diskriminuese të policisë amerikane ndaj zezakëve. Këto protesta kanë rezultuar në veprime të dhunshme saqë kryetari i shtetit të Karolinës Veriore ka kërkuar nga garda kombëtare që të dislokohet në nivel të qytetit ndërsa kryebashkiaku i qytetit Charlote ka shpallur pushtet policor në këtë qytet. Si pasojë e protestave kundër racizmit të policisë amerikane, deri tani dy protestues janë vrarë nga policia dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur dhe arrestuar. Gjithashtu raportohet edhe për 23 policë të plagosur. Dje është publikuar videoja e momentit kur policia e Karolinës së Veriut qëllon për vdekjen njeriun me ngjyrë, ngjarje e cila shkaktoi dhe trazirat atje.Videoja është filmuar nga bashkëshortja e Keith Scott dëgjohet duke bërtitur “Mos e qëlloni”. Kjo video tregon se Scott nuk ka qenë i armatosur ashtu siç pretendon policia. Nga ana tjetër, presidenti amerikan Barack Obama ka paralajmëruar policinë amerikane për pasojat e vazhdimit të sjelljeve diskriminuese të policisë ndaj shtetasve amerikanë me ngjyrë. Barack Obama me rastin e ceremonisë së hapjes së muzeut historik kombëtar të zezakëve në Amerikë, tha se ideja që policia amerikane ka sjellje diskriminuese duhet të jetë shqetësim për çdo qytetar amerikan. Presidenti amerikan, historinë e zezakëve në Amerikë e quajti një histori të mbushur me katastrofa dhe tragjedi dhe tha se të tilla ngjarje vihen re edhe sot në shumë zona të Amerikës. Megjithëse qeveria amerikane akuzon shtetet e tjera për shkeljen e të drejtave të njeriut, shoqëria amerikane vuan nga fenomeni i rëndë i racizmit që sundon në institucionet shtetërore të SHBA e në veçanti në radhët e policisë amerikane. Por edhe në radhët e politikanëve amerikanë ekziston racizëm i thellë. Para disa ditësh, kongresmeni republikan i Karolinës së Veriut Robert Pittenberg në një intervistë me mediat deklaroi: “Shqetësimi ndodhet në mendjet e tyre, kanë zemërim dhe tërbim. Ata urrejnë njerëzit e bardhë sepse janë të suksesshëm, kurse ata jo”. Deklarata e tij referuar komunitetit me ngjyrë është përhapur me shpejtësi në internet dhe ka shkaktuar një valë kritikash ndaj tij.

 

Tags