Tensione të rrezikshme mes Kinës dhe Japonisë
Japonia thotë se ka ngritur avionët e saj luftarak në qiell, pasi tetë avionë ushtarakë kinezë fluruan të dielën mes ishujve japonezë.
Aeroplanët që mendohet se janë bombardues, luftarakë dhe mbikëqyrës, fluturuan në Ngushticën Miyako, mes Okinawa dhe Miyakojima. Kina nga ana e saj, deklaroi se 40 avionë ishin përfshirë në fluturime, në atë që ajo e quan stërvitje rutinore. Avionët nuk kanë kaluar në hapësirën ajrore japoneze, por ky veprim është parë si një demonstrim force nga ana e Kinës. Reagimi vjen një javë pasi Japonia tha se do të marrë pjesë në stërvitjet e përbashkëta të trajnimit me marinën amerikane në Detin e Kinës Jugore. Zëdhënësi i lartë nga Qeveria japoneze tha se Japonia do të vëzhgojë nga afër lëvizjet ushtarake të Kinës. “Tokio do të vazhdojë t’i kushtojë vëmendje me vigjilencë çdo përpjekjeje dhe të mbikëqyrë në mënyrë rigoroze ndërhyrjeve në hapësirën tonë ajrore bazuar në drejtën ndërkombëtare dhe ligjin e forcave të vetëmbrojtjes”, tha Yoshihide Suga. Ngushtica Miyako ka një rëndësi strategjike dhe ka një shtrirje të gjerë në afërsi të Tajvanit. Ajo është gjithashtu afër një grupi ishujsh në Detin e Kinës Lindore, të cilët pretendohen nga të dyja vendet, ndërsa kontrollohen nga shteti japonez.