Debati i parë Klinton-Trump në presidencialet në Amerikë
(last modified Tue, 27 Sep 2016 05:49:21 GMT )
Shtator 27, 2016 07:49 Europe/Tirane
  • Debati i parë Klinton-Trump në presidencialet në Amerikë

Hillary Clinton dhe Donald Trump u përballën në debatin e parë presidencial. Kandidatja demokrate dhe ai republikan shfrytëzuan 90 minuta për të paraqitur platformat e tyre para një audience televizive prej 100 milionë vetash.

Debati i parë, nga tre gjithsej, u ngrit mbi tre shtylla kryesore: drejtimi i vendit, mirëqenia dhe siguria e SHBA-ve. Ekonomia dhe vendet e reja të punës ishte pika e parë ku Clinton e Trump ashpërsuan gjuhën. Kandidati republikan akuzoi ish-sekretaren e shtetit se nuk kishte një plan për krijimin e vendeve të reja të punës, por përgjigjja e Clinton ishte: “Donald, ne e dimë që jeton në botën tënde”. Donald Trump u pyet se përse nuk deklaronte taksat, ndërsa republikani u përgjigj se do të publikojë të dhënat në momentin kur Clinton të bëjë një gjë të tillë me 33 mijë emial-et që janë fshirë. Në këtë pikë, demokratja pranoi se kishte bërë gabim për çështjen e serverit privat, por tha se po ti jepej një shans tjetër, do të vepronte ndryshe. Në lidhje me terrorizmin dhe ISIS, Trump tha se mbështeste NATO-n, po aleanca duhet të dërgonte trupa në Lindjen e Mesme për të çrrënjosur ISIS. “Jam i tëri për NATO-n, por duhet të përqendrohet të terrorizmi. NATO duhet të dërgojë trupa në Lindjen e Mesme në rast se dëshiron të dalë e fituar në luftën ndaj terrorizmit”, tha Trump. Por Clinton u kundërpërgjigj duke thënë se NATO tashmë ka dërguar trupa në Afganistan pikërisht për të luftuar ISIS-n. “NATO ka kohë që po e lufton terrorizimin dhe trupat në Afganistan shërbejnë për këtë gjë”, tha Clinton. Ish-sekretarja e shtetit kritikoi rivalin republikan për lëvdatat ndaj presidentit rus, Valdimir Putin si dhe për nxitjen që “hacker”-ët rusë të ndërmarrin sulme kibernetike ndaj qeverisë amerikane. Clinton kritikoi Trumpin edhe për çështjen e armëve bërthamore, që ajo tha se ai i trajton me shkujdesje. “Qëndrimi i tij për armët bërthamore është thellësisht tronditës. Amerika do t'i respektojë marrëveshjet me aleatët”, tha Clinton qe shtoi se nuk mund t’i lihen kodet një njeriu që nervozohet pas një “cicërimi” në Twitter. Por, Trump u përgjigj duke thënë se “armët bërthamore janë kërcënimi më i madh ndaj vendit tonë”.

Tags