Belgët protestojnë ndaj masave të kursimit
Dy vite pas ardhjes në pushtet të partisë djathtiste, qytetarët belgë kanë protestuar kundër vazhdimit të masave të ashpra të kursimit ekonomik.
Sipas kanalit tv RTBF, sindikatat e punëtorëve të Belgjikës kanë organizuar protesta masive ku janë bashkuar dhjetëra mijëra qytetarë belgë, të cilët kanë kundërshtuar politikat ekonomike të kryeministrit Charles Michel. Masat e kursimit ekonomik në Belgjikë rëndojnë më shumë mbi supet e punëtorëve, të cilët janë prekur nga rritja e papunësisë, ulja e pagave, rritja e moshës së pensionimit, shkurtimi i shpenzimeve buxhetore dhe ndërprerja e ndihmave sociale. Qeveria belge është detyruar t’i marrë këto masa për të reduktuar deficitin buxhetor, megjithëse partia djathtiste erdhi në pushtet me premtimin për t’u dhënë fund masave të kursimit ekonomik.