Çfarë fshihet pas vendimit të Kongresit kundër Arabisë Saudite?
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, deklaroi se Kongresi ka bërë një “gabim” kur rrëzoi veton e tij mbi ligjin që lejon veprime gjyqësore kundër Arabisë Saudite, për shkak të sulmeve të 11 shtatorit.
Kongresi, të mërkurën, rrëzoi për herë të parë fuqinë e vetos së Obamës. Legjislacioni, i njohur si Drejtësi kundër Sponsorëve të Terrorizmit, hap rrugën për familjet e viktimave që të padisin çdo anëtar të Qeverisë saudite, të dyshuar për rol në sulmet e 11 shtatorit. Pesëmbëdhjetë nga 19 rrëmbyesit e avionëve më 11 shtator, 2001, kanë qenë shtetas sauditë, por Arabia Saudite, aleat i rëndësishëm i SHBA-së, ka mohuar çdo rol në sulmet, që i morën jetën rreth 3.000 personave. Por, mbështetësit e ligjit thonë se ai mund të zbatohet vetëm për aktet e terrorizmit që kanë ndodhur brenda tokës amerikane dhe kritikojnë prioritetin që u jep Obama marrëdhënieve me Arabinë Saudite. Senati ka votuar me 97 vota kundër vetos së Obamës dhe me vetëm një votë pro. Në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërkaq, 348 vota kanë qenë kundër dhe 77 pro. Me këtë votim, propozimi është bërë ligj. Pra, edhe shumë ligjvënës demokratë kanë votuar kundër vetos së Obamës, çka është në kundërshtim me interesat e partisë Demokrate në këtë prag zgjedhjesh. Por cila është arsyeja e kundërshtimit të vetos së presidentit amerikanë nga ana e ligjvënësve? Nga ana e saj, Arabia Saudite kishte kërcënuar se në rast të miratimit të këtij ligji, do të tërheqë qindra miliarda dollarë nga asetet e saj në Amerikë. Kjo do të ishte një goditje e rëndë për ekonominë amerikane. Fakti që demokratët dhe republikanët në Kongres dhe Senat vendosën unanimisht të shtrojnë presionin ndaj Arabisë Saudite tregon se në qarqet politike amerikane ka ndryshuar qëndrimi ndaj Arabisë Saudite. Presionet aktuale të Kongresit amerikan ndaj Arabisë Saudite duket sikur kanë lidhje me ngjarjet e 11 Shtatorit, por kjo është vetëm pjesa sipërfaqësore e çështjes, sepse po të ishte kështu, ligji në fjalë do të ishte miratuar shumë më herët dhe jo 15 vjet pas sulmeve të 11 Shtatorit. Tashmë roli i Arabisë Saudite ka shkaktuar shqetësimin e një pjese të madhe të politikanëve dhe të qarqeve ekonomike e të sigurisë në SHBA. Sot, Arabia Saudite, ndryshe nga Arabia e kohës së mbretit Fahd apo mbretit Abdullah, nuk është një aleat i bindur e pa probleme. Në epokën e sundimit të brezit të dytë të familjes mbretërore Al Saud e sidomos të princit trashëgimtar ambicioz Muhamed ben Selman, Arabia Saudite po kërkon një rol më të madh në rajonin e Lindjes së mesme. Këto përpjekje si në çështjen e Sirisë dhe krimet e tmerrshme të Arabisë Saudite në agresionin kundër Jemenit, nuk përputhen me strategjinë e përpiluar nga Uashingtoni. Gjatë viteve të fundit, Arabia Saudite ka përkrahur hapur grupet takfiriste e selefiste në vende të ndryshme të botës dhe kjo përkrahje është bërë shkak jo vetëm për destabilizimin dhe shkatërrimin e disa vendeve të Lindjes së Mesme, por edhe për sulme terroriste në SHBA dhe në disa vende europiane. Duket se këtë herë sauditët synojnë të luajnë me kartë e petrodollarëve për të ushtruar presion ndaj aleatëve të tyre në Europë dhe SHBA. Ky rrezik ka bërë që në Perëndim të kumbojë këmbana e alarmit. Në këtë kuadër, ligji i ri i miratuar nga Kongresi, duket se është një lëvizje preventive për t’i detyruar sundimtarët sauditë, që ashtu si paraardhësit e tyre, të ecin pa bërë zë në rrugën e përcaktuar nga Uashingtoni.