Manovrat e përbashkëta SHBA-Kore e Jugut, benzinë mbi zjarr
(last modified Mon, 03 Oct 2016 19:02:55 GMT )
Tetor 03, 2016 21:02 Europe/Tirane
  • Manovrat e përbashkëta SHBA-Kore e Jugut, benzinë mbi zjarr

Në kushtet kur situata në Gadishullin Korean është më e tensionuar se kurrë, SHBA dhe Koreja e Jugut filluan sot manovra të përbashkëta ushtarake që do të zgjasin deri më 21 Tetor.

Qëllimi i këtyre manovrave është koordinimi i një sulmi të përbashkët kundër  objekteve ushtarake të Koresë Veriore. Manovra e përbashkët ushtarake mes SHBA dhe Koresë Jugore nuk është diçka e pazakontë, por ajo që dallon është klima tepër e tensionuar në Gadishullin Korean pas testeve raketore e bërthamore të Penianit. Këtë herë, amerikanët dhe jugkoreanët deklaruan hapur se qëllimi i manovrave është përgatitja për sulm kundër potencialeve raketore e bërthamore të Koresë së Veriut. Peniani nuk ka ngurruar aspak dhe shpejtoi të deklarojë se në rast se do të ndjehet i kërcënuar, do të kryejë sulm preventiv bërthamor kundër Koresë së Veriut dhe kundër 28 mijë forcave amerikane të dislokuara në këtë vend. Në këtë mes, Kina dhe Rusia, megjithëse dënuan ashpër testin bërthamor të Koresë së Jugut, kanë protestuar ndaj strategjisë së SHBA në Azinë juglindore. Si Rusia, ashtu edhe Kina kanë dënuar dislokimin e sistemit raketor amerikan Thaad, në Korenë e Jugut. Ditëve të fundit, Pekini paralajmëroi se SHBA dhe Koreja e Jugut do të paguajnë çmimin për dislokimin e një sistemi mbrojtës raketash që më mënyrë të pashmangshme do të sjellë një kundërsulm. Tensioni ka qenë i lartë në Gadishullin Korean këtë vit pas testeve bërthamore të Koresë së Veriut. Si reagim, Koreja e Jugut ra dakord me SHBA për të vendosur një sistem mbrojtës raketor. Por ky plan ka zemëruar Kinën, e cila është e shqetësuar se sistemi “Thaad” do të komprometojë sigurinë e saj dhe nuk do të bëjë asgjë për të ulur tensionet në rajon. Ministria e Mbrojtjes e Kinës paralajmëroi SHBA-të kundër dislokimit të sistemit raketor Thaad në Korenë e Jugut dhe deklaroi se Kina do të marrë masat e nevojshme për ruajtjen e ekuilibrit të forcave në rajon. Yang Yu Xhun, zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Kinës kritikoi vendimin e Uashingtonit dhe Seulit për dislokimin e sistemit të avancuar raketor Thaad në territorin e Koresë së Jugut dhe shtoi se Pekini nuk do të lejojë prishjen e ekuilibrit të forcave në Gadishullin Korean dhe në rajonin e Azisë juglindore. Ai shtoi se manovrat e përbashkëta të SHBA dhe Koresë së Jugut në rajon nuk i ndihmojnë paqes dhe stabilitetit rajonale dhe vetëm nxisin reagime të ashpra nga Koreja e Veriut që është afirmuar si një fuqi bërthamore. Pekini dhe Moska janë të mendimit se Uashingtoni po shfrytëzon veprimet e pamenduara të Penianit për të rritur praninë ushtarake të SHBA në Azinë Juglindore dhe për të prishur ekuilibrin e forcave në këtë rajon. Çështja nuk është se Koreja e Veriut me armët bërthamore do të garantojë sigurinë e saj. Armët bërthamore të Penianit po shfrytëzohen si pretekst nga SHBA për realizimin e politikave militariste në veri dhe në jug të Azisë si dhe në Paqësor.

 

Tags