Gjermania paralajmëron për rifillimin e Luftës së Ftohtë
Situata aktuale është më e rrezikshme se Lufta e Ftohtë, deklaroi sot kreu i diplomacisë gjermane, Frank-Walter Steinmeier për të përditshmen ”Bild”, ndërsa tensionet janë në rritje midis SHBA-së dhe Rusisë.
“Është iluzion të besosh se bëhet fjalë për ish-Luftën e Ftohtë. Periudha e tanishme është më ndryshe, shumë më e rrezikshme”, deklaroi ministri gjerman i Punëve të Jashtme për të përditshmen më të lexuar në vend. “Rreziku i një përballje ushtarake është i konsiderueshëm”, pohoi ish-diplomati gjerman, Wolfgang Ischinger, i cili ka patur funksionin e ndërmjetësit të OSBE-së për Ukrainën, cituar në të njëjtin artikull.”Rreziku nuk ka qenë kurrë në këto përmasa prej dekadash dhe besimi midis Perëndimit dhe Lindjes kurrë më parë kaq i ulët”, thekson ai.Shtetet e Bashkuara të Amerikës pezulluan në fillim të javës bisedimet e tyre me Rusinë mbi armëpushimin në Siri duke akuzuar dje Moskën dhe Damaskun për krime lufte në Alepo. Ndërkohë, Rusia po shqyrton plane për të ringritur bazat e saj ushtarake në Vietnam dhe Kubë, që shërbyen si lojtarë kyç gjatë Luftës së Ftohtë mes Bashkimit Sovietik dhe Perëndimit.Lajmin e bëjnë të ditur agjencitë ruse, të cilat citojnë zv.ministrin e Mbrojtjes. “Ne po e trajtojmë këtë çështje”, ka deklaruar Nikolai Pankov në Parlament. Rusia mbylli bazën e saj të inteligjencës në Lurdes të Kubës dhe bazën detare në Kam Rahn në Vietnam në fillim të viteve 2000, në kuadër të planit të tërheqjes së pranisë së saj ushtarake nëpër botë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Por që atëherë politika e jashtme e Moskës është bërë më agresive, duke çuar në krijimin e tensioneve me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, mes të tjerash për konfliktet në Ukrainë dhe Siri, si dhe për praninë e trupave të NATO-s në lindje të Europës. Pankov deklaroi se Ministria e Mbrojtjes po rishikon vendimet e kaluara që çuan në mbylljen e dy bazave, por refuzoi të jepte detaje. Ministri i Jashtëm i Vitenamit refuzoi të bënte një koment për këtë kur u pyet, ndërsa zyrtarët kubanezë nuk ishin të gatshëm për mediat, raporton “Huffington Post”. Aktualisht Shtetet e Bashkuara janë në procesin e ripërtëritjes së marrëdhënieve me Kubën, që në kohët sovjetike i ofroi Moskës si bazë territorin e saj më të afërt me Amerikën, 100 milje nga ishujt e Floridës. “Situata globale nuk është e qëndrueshme, është kaotike dhe në dy vitet e fundit janë shënuar ndryshime domethënëse në çështjet e politikës ndërkombëtare”, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov në një konferencë për shtyp. “Për këtë arsye është mëse e natyrshme që të gjitha vendet t’u përgjigjen këtyre ndryshimeve në të njëjtën linjë me interesat e tyre kombëtare dhe të marrin hapa të caktuar, që ata i konsiderojnë të duhur”, vijoi Peskov.