Kriza siriane bllokon KS të OKB
https://parstoday.ir/sq/news/world-i30658-kriza_siriane_bllokon_ks_të_okb
KS i OKB që është organi kryesor përgjegjës për paqen dhe sigurinë në botë, nuk ka arritur të dalë nga bllokimi në lidhje me krizën në Siri e në veçanti në qytetin Alepo.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Tetor 09, 2016 21:55 Europe/Tirane
  • Kriza siriane bllokon KS të OKB

KS i OKB që është organi kryesor përgjegjës për paqen dhe sigurinë në botë, nuk ka arritur të dalë nga bllokimi në lidhje me krizën në Siri e në veçanti në qytetin Alepo.

Asnjë nga dy projektrezolutat për situatën në Siri, të cilat u paraqitën në Këshillin e Sigurimit, nuk u miratuan. Teksti i propozuar nga Franca dhe Spanja u rrëzua për shkak të vetos së Rusisë, ndërsa propozimi i vetë rusëve nuk arriti të marrë 9 votat minimale. Me vendimin e Rusisë u bashkua edhe Venezuela, ndërsa Kina dhe Angola abstenuan ndaj rezolutës franceze. Versioni franko-spanjoll bënte thirrje për zbatimin e armëpushimit, zgjidhje politike, përmirësim i situatës humanitare dhe shtimin e përpjekjeve për të luftuar terrorizmin. Ambasadori britanik Mattheë Rycroft i tha përfaqësuesit rus Vitaly Churkin, njëkohësisht kryetar i seancës, se kjo veto e Rusisë dëshmoi edhe njëherë atë që dihej prej kohësh, sesa i pasinqertë është angazhimi rus për procesin e paqes. Ndërsa Churkin iu përgjigj se Britania duhet të heqë dorë nga zakonet kolonialiste të ndërhyrjes në çështjet e brendshme të shteteve sovrane. Kina abstenoi dhe ambasadori i saj në Këshillin e Sigurimit tha se nuk kishte zgjedhje tjetër. “Disa nga elementët e përmbajtjes nuk reflektojnë në mënyrë të plotë sovranitetin dhe integritetin territorial të Sirisë, si dhe nuk janë përfshirë pikëpamjet e disa anëtarëve të Këshillit të Sigurimit”, tha Liu Jieyi. Rezultati ishte 11 në favor dhe dy abstenime. Ndërsa drafti i paraqitur nga Rusia u bënte thirrje të gjitha palëve t’u japin fund armiqësive, në mënyrë që të shtohen përpjekjet për të luftuar terrorizmin dhe të përkrahet i dërguari special i Këshillit të Sigurimit në Siri. Versioni rus mori vetëm 4 vota pro, 9 kundër dhe 2 abstenime.  Të dy votimet  u organizuan në një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit, në përpjekjen e radhës për t’u dhënë fund bombardimeve në Alepo, ku që prej muajit korrik nuk mbërrijnë ndihmat humanitare. Vendet perëndimore gjatë 5 viteve kanë heshtur përballë krimeve të tmerrshme të terroristëve në Alepo dhe tashmë pa pritur kërkojnë ndalimin e operacioneve të ushtrisë legjitime të një shteti kundër terroristëve të rebelëve, duke i cilësuar këto sulme të paligjshme dhe në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare. Është e qartë se projektrezoluta e paraqitur nga Franca ka për qëllim që qyteti Alepo të vazhdojë të mbetet nën kontrollin e terroristëve dhe rebelëve. Nëse Alepo që është qyteti i dytë më i rëndësishëm i Sirisë bie nën kontrollin e forcave siriane, çlirimi i të gjithë territorit sirian do të ishte shumë i afërt, por diçka e tillë nuk dëshirohet nga Amerika dhe nga perëndimorët të cilët kanë investuar shumë në grupet terroriste dhe rebele në Siri.