Moska kërcënon Londrën
Akuzat e fundit të sekretarit të jashtëm britanik, Boris Johnson, ndaj Rusisë për sulm kundër konvojit me ndihma humanitare në Siri në muajin shtator, kanë zemëruar tejmase Moskën.
Ministria ruse e mbrojtjes ka dhënë përgjigje të ashpër, duke i konsideruar deklaratat e zyrtarit britanik si "histeri rusofobike". Të martën, Johnson para deputetëve të Dhomës së Komunave tha se forcat ajrore ruse ishin përgjegjëse për sulmin e shtatorit ndaj konvojit humanitar të OKB që bartte ndihma për civilët në Alepo, duke cituar imazhet satelitore si burim të këtyre deklaratave. Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes ruse, Igor Konashenkov, të mërkurën hodhi poshtë këto pretendime si të pabaza, duke theksuar se "nuk ka pasur asnjë avion rus në zonën pranë konvojit humanitar." "Histeria rusofobike e disa anëtarëve të establishmentit britanik nuk është më mbresëlënëse", vuri në dukje Konashenkov. "Që nga 20 shtatori, jemi dëshmitarë të akuzave që pretendojnë përfshirjen e Rusisë në shkatërrimin e një konvoji humanitar pranë Alepos", shtoi ai. Shumë herë kemi dëgjuar rrëfime nga "dëshmitarë dhe vullnetarë okularë" të cilët më pas kanë dalur të jenë pjesëtarë të Al Nusras, ose "prova të besueshme" të inteligjencës amerikane e që më pas hidhen poshtë në Kongres nga vetë shefi i shtabit të përgjithshëm Joseph Dunford. Edhe zëdhënësja e Ministrisë së jashtme ruse Maria Zakharova ka kundërshtuar deklarimin e Johnson, duke e konsideruar prononcimin e tij si të turpshëm, e cila ka injoruar edhe deklaratën e tij të mëparshme se "arma më e fuqishme" kundër Rusisë, është "turpi". Ajo ka thënë: "Siç duket Johnson ka filluar të lëvize nga fjalët në vepra dhe ka lëshuar armën me të cilën e kërcënon Rusinë-"turpin". "Deri tani të gjithë ne ndjehemi të turpëruar në emër të tij, ka thënë Zakharova". Zyrtarët rusë kanë thënë se Londra duhet të ndalë retorikën e saj rusofobike, përndryshe do të marrë përgjigjen e merituar.