Tetor 14, 2016 00:46 Europe/Tirane
  • Vazhdojnë operacionet e policisë turke kundër PKK dhe lëvizjes Gylen

Mediat informative turke kanë njoftuar se janë arrestuar 30 anëtarë të lëvizjes Hizmet e drejtuar nga Fet'hullah Gylen në 17 provinca të Turqisë.

Po ashtu, qeveria turke ka mbyllur 12 kanale televizive dhe 8 radio nën akuzën e “kultivimit të ideve terroriste”. Ankaraja i akuzoi këto media se kanë bërë propagandë në favor të Partisë Punëtore të Kurdistanit dhe dha urdhër për mbylljen e tyre. Hamza Ektan, kryeredaktor i kanalit Tv AMC që ka marrë urdhër të mbyllet, tha se kanalet radio-televizive që janë mbyllur nga qeveria turke administroheshin nga kurdët dhe pakicat fetare. Këto kanale transmetonin programe në gjuhën kurdë dhe turke kryesisht në rajonet lindore të Turqisë të banuara kryesisht nga popullsia kurde. Më parë, qeveria e Ankarasë kishte mbyllur disa radio-televizione që akuzoheshin se kishin lidhje me klerikun opozitar Fet'hullah Gylen. Këto masa represive të qeverisë turke favorizohen edhe nga vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme, të cilën presidenti Erdogan po e shfrytëzon për të zhdukur çdo ndikim të Gylenit në Turqi. Në kuadër të kësaj politike, rreth mbi 32 mijë persona janë arrestuar nën akuzën se kanë përkrahur grushtin e shtetit të 15 Korrikut kundër qeverisë së presidentit Erdogan. Në vazhdën e veprimeve kundër lëvizjes Gylen, më shumë se 200 anëtarë të forcave të armatosura turke janë shkarkuar, pas grushtit të shtetit. Masa ka prekur rreth 233 persona duke përfshirë 158 oficerë. Kjo masë e fundit e çon numrin e personave të larguar nga ushtria që nga 15 korrik deri 3 939 persona. Ankaraja akuzon imamin Fethullah Gulen, në mërgim në SHBA, si orkestrues i grushtit të dështuar të shtetit në mesin e muajit korrik, ku u regjistruan më shumë se 270 të vdekur dhe mijëra të plagosur. Autoritetet turke kanë nisur një valë arrestimesh pas grushtit të dështuar të shtetit për të spastruar aparatin  shtetëror nga përkrahësit e dyshuar të Gulen. Media, gjyqësori, policia, burgjet, ushtria, arsimi. Të gjithë sektorët e sipërpërmendur janë të prekur nga vala e arrestimeve të paprecedenta, ku rreth 32 000 persona janë arrestuar, sipas një bilanci të njoftuar në fund të shtatorit. Po ashtu në Turqi 540 ushtarë turq janë suspenduar si pjesë e hetimit kundër të ashtuquajturës organizatë terroriste (FETO). Në mesin e tyre 113 janë nga marina, ndërsa 427 janë nga flota detare ushtarake.  Avionët luftarakë të Turqisë kanë sulmuar pozicionet e grupit PKK në veri të Irakut. Shtabi i Ushtrisë së Turqisë të mërkurën me anë  të një deklarate, deklaroi se avionët e forcave ajrore të Turqisë kanë sulmuar pozicionet e identifikuara dhe dy vendstrehime të grupit PKK në rajonit Zartepe në veri të Irakut. Sipas këtij burimi, gjatë këtij operacioni janë vrarë pesë pjesëtarë të grupit PKK. Nga ana tjetër, Të paktën 10 ushtarë turq humbën jetën në juglindje të vendit, si pasojë e një sulmi me autobombë. Sulmi në bazën ushtarake “Durak” në rajonin Semdinli të provincës Hekeri, është vepër e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK). Militantët e PKK-së e kanë hedhur në erë automjetin me 5 ton eksploziv gjatë një kontrolli rutinë të dielën. 27 ushtarë të tjerë kanë mbetur të plagosur. Duket se shkak për këtë sulm janë bërë aksionet, që forcat turke të sigurisë kanë ndërmarrë kundër anëtarëve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, e cila është nxjerrë jashtë ligji në këtë provincë.

 

Tags