Zgjedhja e sekretarit të ri të përgjithshëm të OKB
Ish-kryeministri i Portugalisë, Antonio Guterres është zgjedhur këtë të enjte Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, pas miratimit unanim të një rezolute nga 193 vendet anëtare në Asamblenë e OKB-së.
Ai bëhet sekretari i 9 dhe do ta marrë detyrën nga Ban Ki-mooun, mandati i të cilit përfundon më 31 dhjetor. Javën e kaluar, kandidatura e tij ishte votuar unanimisht nga Këshilli i Sigurimit, duke dalë triumfues edhe ndaj presioneve për të zgjedhur një grua në krye të OKB-së, organizatë e kryesuar vetëm nga burra përgjatë 71 viteve të ekzistencës së saj. 67-vjeçari Guterres ka qenë kryeministër i Portugalisë në vitet 1995-2002. Më 1 janar ai merr mandatitin e parë, që zgjat 5 vite, e që mund të rizgjidhet nga shtetet anëtare për 5 vite të tjera. Ban Ki-moon e cilësoi atë si zgjedhje të shkëlqyer, duke kujtuar punën e tij si Komisioner i Lartë për Refugjatët në kuadër të OKB-së. Guterres ishte kryesues në të gjashta votimet formale përpara nominimit, duke lënë pas vetes plot 13 kandidatë të tjerë, mes të cilëve 7 gra dhe 6 burra. Guterres ka triumfuar ndaj kandidatit serb për këtë pozitë, Vuk Jeremiq, i cili ka mbajtur postin e ministrit të jashtëm serb. Ish-shefi i UNHCR-së dhe ish-kryeministri i Portugalisë António Guterres është zgjedhur në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së pas votimit të kryer sot në KS të OKB. Nga viti 2005 deri në vitin 2015 Guterres ishte Komisioneri i Lartë Kombeve të Bashkuara për Refugjatët. Në këtë post ai u angazhua për një reformë të thellë strukturore të UNHCR-së dhe pakësimin me më shumë se 20 për qind të personelit në selinë UNHCR-së në Gjenevë. Vëllimi veprimtarisë së UNHCR-së u trefishuar gjatë kohës së tij në detyrë, pas një buxhetimi sipas nevojave dhe shtimit të numrit të personave që largoheshin nga zonat e konfliktit dhe të përndjekjes, nga 38 milionë në vitin 2005 në mbi 60 milionë në vitin 2015. Gjatë kohës së Guterres në postin e Komisionerit të Lartë Kombeve të Bashkuara për Refugjatët pati disa prej krizave më të mëdha të refugjatëve, sidomos konfliktet në Siri dhe Irak, por edhe në Republikën e Afrikës Qendrore apo në Jemen dhe në Sudan. Lufta civile e Sirisë do të jetë prioriteti kryesor i shefit të ri të OKB-së, Antonio Guterres. Sirianët, sipas tij, nuk janë vetëm viktima të problemeve të tyre, por edhe të të gjitha kontradiktave të botës së sotme. “Besoj se fundi i këtij konflikti duhet të jetë përparësi e të gjithë komunitetit ndërkombëtar. Personalisht, ndiej një solidaritet të thellë me popullin sirian. Sirianët i hapen kufijtë, shtëpite dhe zemrat e tyre milionë refugjatëve nga Iraku dhe Palestina. Kur i shoh sot të vuajnë kaq shumë, më thyhet zemra. Fundi i vuajtjeve të tyre është detyrimi ynë moral”, tha kreu i ri i OKB-së.