Zgjatet për 24 orë armëpushimi në Alepo
Ministri i mbrojtjes i Rusisë deklaroi se presidenti rus ka dhënë urdhër për zgjatjen për 24 orë të armëpushimit në qytetin Alepo.
Sergei Shojgu tha se me urdhër të presidentit Vladimir Putin, ushtria ruse do të ndërpresë për 24 orë të tjera sulmet ajrore në Alepo dhe këtë qëndrim do të mbajë edhe qeveria siriane. Në qytetin sirian Aleppo prej orës tetë sipas kohës lokale, hyri në fuqi pushimi humanitar, i shpallur nga Rusia, me të cilën banorëve do t’u mundësohet ta braktisin qytetin. Moska dje kumtoi se armëpushimi do të zgjasë 11 orë. Armata siriane dje theksoi se kjo do të zgjasë tre ditë. Në Berlin, presidenti rus Vladimir Putin tha se është i gatshëm t’i ndërpresë “sa është e mundur” sulmet ajrore. Shtabi i përgjithshëm i armatës ruse dje kumtoi për hapjen e tetë korridoreve humanitare, gjashtë për evakuim të civilëve, të sëmurëve dhe të plagosurve dhe dy për tërheqjen e kryengritësve të armatosur.