OKB: Pengohet evakuimi i pacientëve në lindje të Alepos
https://parstoday.ir/sq/news/world-i32038-okb_pengohet_evakuimi_i_pacientëve_në_lindje_të_alepos
Zyra koordinuese e OKB për çështjet humanitare ka njoftuar: Operacionet për evakuimin e pacientëve nga lindja e Alepos në Siri që ishte vendosur të kryhen sot, janë shtyrë për shkak të pasigurisë dhe mos dhënies së garancive nga grupet që luftojnë në këtë rajon.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Tetor 21, 2016 17:49 Europe/Tirane
  • OKB: Pengohet evakuimi i pacientëve në lindje të Alepos

Zyra koordinuese e OKB për çështjet humanitare ka njoftuar: Operacionet për evakuimin e pacientëve nga lindja e Alepos në Siri që ishte vendosur të kryhen sot, janë shtyrë për shkak të pasigurisë dhe mos dhënies së garancive nga grupet që luftojnë në këtë rajon.

Jens Larki, zëdhënës i zyrës koordinuese të OKB për çështjet humanitare ka thënë: Për fat të keq operacionet për evakuimin e të sëmurëve dhe të plagosurve nga lindja e Alepos që duhej të kryheshin sot në mëngjes, nuk janë kryer për shkak të pasigurisë që ka mbretëruar nëpër rrugët që çojnë në këtë rajon. Ky zyrtar i OKB ka thënë se operacionet për evakuimin e pacientëve nga lindja e Alepos janë shumë të vështira. Nga ana tjetër, Këshilli për të drejtat e njeriut i OKB-së, ka hapur një seancë të posaçme për qytetin e rrethuar sirian të Alepos. Kjo seancë, e thirrur nga Britania, ka për qëllim arritjen e një rezolute për abuzimet, veçanërisht në zonat e kontrolluara nga terroristët në Alepo, ku jetojnë rreth 250 mijë civilë. Duke iu drejtuar 47 anëtarëve të këshillit, shefi për të drejtat e njeriut në OKB, Zeid Ra’ad al-Hussein ka kërkuar aksion kundër “krimeve të përmasave historike”. “Grupet terroriste vazhdojnë të gjuajnë mortaja dhe predha të tjera mbi lagjet e banuara me civilë në perëndim të Alepos”, ka thënë Zeid. Po ashtu, OKB ka deklarua se ISIS po përdor 550 familje në Mosul si mburoja njerëzore. Pohimet e OKB-së kanë ngjallur shqetësim të madh, ashtu si dhe disa raporte se personat e dyshuar për mungesë besnikërie i pret vdekja. “Jemi tepër të shqetësuar nga njoftimet se ISIS-i po përdor civilët në dhe përreth Mosulit si mburoja njerëzore, ndërkohë që forcat irakiane vazhdojnë avancimin. Janë duke i mbajtur civilët pranë zyrave të tyre apo zonave ku ndodhen luftëtarët e këtij grupi”, tha Ravina Shamdasani, zëdhënëse e OKB-së. 200 familje nga fshati Samalia dhe 350 nga Najafia janë marrë forcërisht të hënën, në vazhdën e asaj që duket si “politikë e ISIS-it për të mos i lejuar civilët të largohen”. Në rrugën e tyre drejt Mosulit, forcat irakiane dhe ato kurde, të mbështetura në tokë e ajër edhe prej koalicionit të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara, rimorën nën kontroll dy fshatra të tjerë, al-Awaizat dhe Nanaha. Por në veri të qytetit të dytë më të madh të vendit, terroristët sulmuan egërsisht ndërtesa qeveritare, ku vranë 6 efektivë policie, dhe një stacion elektrik, ku humbën jetën 13 punonjës. 12 terroristë të ISIS thuhet të kenë gjetur vdekjen deri tani në luftime.