Mbi 200 lëkundje sizmike pas tërmetit në Itali
Mbi 200 lëkundje sizmike janë raportuar pas tërmetit të mbrëmjes së kaluar në Itali.
Vetëm në rajonet Marke, Umbria e Lacio janë regjistruar rreth 150 lëkundje tërmeti. Komunat më të goditura nga tërmeti janë Visso, Castel Sant Angelo, Ussito, Camerino Preci etj. Dy lëkundje të forta tërmeti 5,4 dhe 5,9 ballë janë regjistruar në komunat Castel Sant'Angelo sul Nera, Visso, Ussita dhe Preci në Marche, por tërmeti u ndie në shumë zona, përfshirë edhe kryqytetin e Romës. Sipas specialistëve është ulja e Apenineve që mund të ketë sjellë këto lëvizje sizmike. Një situatë që rrezikon të përsëritet e të zgjatet në kohë. Zyra e Mbrojtjes Civile ka informuar se janë regjistruar 8 persona të plagosur e një person 74 vjeçar ka ndërruar jetë për shkak të një krize infarkti në zemër. Qeveria italiane ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme të emergjencës në zonat e goditura nga tërmeti i një ditë më parë në Italinë Qendrore. Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave është miratuar dhënia e fondit prej 40 milionë euro në ndihmë të komunave të dëmtuara nga ky tërmet. Kryeministri italian Matteo Renzi ka vizituar pasditen e sotme qytezat më të prekura të kësaj tragjedie natyrore ku është takuar me banorët e zonës e me përfaqësuesit e lartë të Mbrojtjes Civile e të Kryqit të Kuq. “Duhet një ndërhyrje strukturore për të ndihmuar zonat e dëmtuara e këtë fakt duhet t’ja shpjegojmë qartë Italisë dhe Europës. Do të kërkojmë nga Parlamenti të përshpejtojë miratimin e dekretit ndaj zonave të tërmetit, për të pasur burimet dhe instrumentet e duhura në përballimin sa më efikas të situatës”-deklaroi kryeministri italian.