Luftanijet ruse nuk do të marrin pjesë në luftën për Alepon
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë deklaroi se luftanijet që Rusia po i dërgon në Siri nuk do të marrin pjesë në fushatën e bombardimeve në Alepo.
Shumë vende të NATO-s janë shprehur të shqetësuara se luftanijet ruse mes të cilave edhe aeroplanmbajtësja Admiral Kuznetsov, do të marrin pjesë në bombardimet kundër qytetit Alepo në veri të Sirisë. Por Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se këto luftanije që kanë udhëtuar nga veriu i Rusisë në drejtim të Sirisë kanë për qëllim të garantojnë sigurinë e forcave ajrore ruse që marrin pjesë në luftimet në Siri dhe jo implikimin në këto luftime. Dërgimi i luftanijeve ruse në Siri bëhet vetëm një javë pasi ushtria ruse deklaroi se do të forcojë praninë e saj në brigjet perëndimore të Siri në Detin Mesdhe.