Shqetësime për procesin e strehimit të personave të goditur nga termeti
https://parstoday.ir/sq/news/world-i33439-shqetësime_për_procesin_e_strehimit_të_personave_të_goditur_nga_termeti
Mijëra njerëz në Italinë qendrore e kanë kaluar natën mes të dielës dhe të hënës nëpër makina, tenda, si dhe vende të përkohshme strehimi, pas tërmetit të katërt të fuqishëm në zonë gjatë 3 muajve të fundit.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Tetor 31, 2016 10:53 Europe/Tirane
  • Shqetësime për procesin e strehimit të personave të goditur nga termeti

Mijëra njerëz në Italinë qendrore e kanë kaluar natën mes të dielës dhe të hënës nëpër makina, tenda, si dhe vende të përkohshme strehimi, pas tërmetit të katërt të fuqishëm në zonë gjatë 3 muajve të fundit.

Tërmeti me magnitudë 6.6 që tronditi Italinë të dielën në mëngjes, e që rezulton ndër më të fuqishmit në dekadat e fundit, preku të njëjtën zonë ku gjatë muajit gusht mbetën të vdekur thuajse 300 persona nga një tjetër lëkundje sizmike. Për fat të mirë, këtë herë nuk ka pasur asnjë viktimë, por vetëm 20 të plagosur. Megjithatë, lëkundjet e vazhdueshme duket se po rrëzojnë edhe ato pak ndërtesa që kishin mbetur në këmbë. Në qytetin e Norcias, pjesë e rajonit të Perugias, disa banorë vendosën të qëndronin në shtëpitë e tyre, edhe pse ishin shumë pranë epiqendrës së lëkundjes sizmike të fundit. Disa të tjerë e kaluan natën nëpër tenda të ngritura pranë qytetit, ose kanë pranuar ofertën e autoriteteve italiane për t’u zhvendosur në vende të sigurta pranë brigjeve të Adriatikut. “Do të jetë një natë e vështirë”, tha kreu italian i Mbrojtjes Civile, Fabrizio Curcio, një ditë më parë. “Lëkundja me magnitudë 6.5 e ka ndryshuar realisht situatën këtu” .Stefano Boldrini, një qytetar i Norcias, i cili jeton së bashku me vajzën e tij 8-vjeçare në një mikrobus kampimi, është pyetur nëse do të qëndrojë sërish në këtë zonë. “Jo, si mund të qëndrojmë? Nuk ka më shkolla, kisha apo komisariate policie. Nuk ka mbetur asgjë këtu”, tha ai. Bazilika mesjetare e Shën Benediktit në Norcia ishte mes ndërtesave historike dhe strukturave të tjera që u shkatërruan pas tërmetit të fundjavës. Gjithsesi, evakuimi i shumicës së ndërtesave në Italinë qendrore u pa i domosdoshëm që prej aktivitetit sizmik të javës së kaluar, një aktivitet që u rikthye pas tërmetit të gushtit, duke shpëtuar kështu shumë jetë njerëzish.