Kthehet frika nga sulmet terroriste në Londër
Autoritetet angleze kanë vendosur posterë dhe reklama në vagonët dhe stacionet e metrosë në Londër duke kërkuar nga qytetarët e këtij vendi që të tregohen më të vëmendshëm ndaj çfarëdo rasti dhe veprimi të dyshimtë.
Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve njoftoi se autoritetet e transportit në Angli kanë thënë se qëllimi i një kërkese të tillë është shfrytëzimi i potencialeve qytetar për vendosjen e sigurisë në këtë vend. Autoritetet e transportit në Angli kanë theksuar: "Londra dëshiron tu dërgojë një mesazh të qartë atyre që kërcënojnë linjat hekurudhore të këtij vendi se me mijëra sy janë duke vëzhguar situatën për të raportuar kërcënimet e mundshme". Ndërkohë një deklaratë e lëshuar nga shefi i shërbimeve sekrete britanike MI5, Andrew Parker thotë: “Do të ketë sulme terroriste në Britani”. Në një intervistë për “The Guardian”, Parker zbuloi se në tre vitet e fundit, forcat anti-terroriste kanë shmangur të paktën 12 sulme kundër disa objektivave në Britaninë e Madhe. Parker theksoi: “Kërcënimi terrorist nga grupi ISIS, por edhe nga Al Kaida, është i vazhdueshëm dhe kjo është arsyeja pse niveli i alarmit mbetet i lartë në këtë vend. Për Britaninë e Madhe, kjo është një ndër periudhat më të rrezikshme, gjatë gjithë karrierës sime 30-vjeçare”, tha shefi i shërbimeve sekrete. Ai në vazhdim gjithashtu shtoi: “Pres që ne të identifikojmë dhe të ndalojmë shumicën e sulmeve”.