Shfajësoi sërish Clintonin, Trump sulmon FBI-në
(last modified Mon, 07 Nov 2016 18:50:55 GMT )
Nëntor 07, 2016 19:50 Europe/Tirane
  • Shfajësoi sërish Clintonin, Trump sulmon FBI-në

Donald Trump akuzoi FBI-në për sjellje jo korrekte, pasi Byroja e Hetimeve shfajësoi për herë të dytë brenda pak muajsh rivalen e tij, Hillary Clinton për çështjen e postës elektronike.

Më herët, drejtori i FBI-së James Comey, sërish përmes një letre lajmëroi Kongresin se rishikimi i postës elektronike të Clintonit, ose rihapja e hetimit, nuk zbuloi asgjë të re për të ndryshuar përfundimin e hetimeve të verës, pra që Clinton nuk ka bërë asnjë krim. Në krahun tjetër të fushatës, Hillary Clinton nuk e përmendi fare shfajësimin e dytë të FBI-së, por ndihmës të saj thanë se janë të lumtur që kjo çështje më në fund u zgjidh. Por kandidati republikan, i cili pak ditë më parë përgëzoi FBI-në për rihapjen e hetimit, nuk ishte aspak dakord me rezultatin e tij. Gjatë një mitingu në Detroit, Trump këmbënguli se është e pamundur që FBI-ja të ketë shqyrtuar 650 mijë “e-mail”-e të reja në kaq pak kohë. “Aktualisht Clinton po mbrohet nga një sistem i manipuluar. Sistemi është plotësisht i manipuluar dhe këtë e them prej kohësh. Hillary Clinton është fajtore. Ajo e di këtë, FBI e di këtë dhe populli e di këtë. Tani është në dorën e amerikanëve, që të bëjnë drejtësi me votën e dytë më 8 nëntor”, deklaroi Trump. Publikimi i hetimit të ri nga FBI-ja vetëm 11 ditë para zgjedhjeve tronditi jo pak fushatën elektorale, ndërsa ripërtëritja e akuzave ndaj Clintonit konsiderohet gjerësisht si faktori kryesor i përmirësimit të sondazheve për Trump.

 

Tags