Pasojat e zgjedhjes së Trump në postin e presidentit në Amerikë
(last modified Thu, 10 Nov 2016 05:58:52 GMT )
Nëntor 10, 2016 06:58 Europe/Tirane
  • Pasojat e zgjedhjes së Trump në postin e presidentit në Amerikë

Fitorja e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në Amerikë, është shoqëruar me reagime të ashpra dhe protesta brenda dhe jashtë Amerikës.

Me qindra shtetas amerikanë dhe mbështetës të Hillary Clinton dje kanë dalë nëpër rrugë për të protestuar kundër rezultatet të zgjedhjeve dhe kundër fitores së Donald Trump. Ata kanë djegur flamurin amerikane dhe me trazira kanë protestuar nëpër rrugë. Fitorja presidenciale e Donald Trump ka shkaktuar protesta në të gjithë Amerikën me disa demonstrues që i kanë vënë zjarrin koshave të plehrave, kanë thyer xhama dhe kanë djegur flamurin amerikan. Mbështetësit e kandidatëve rivalë janë përplasur me njëri-tjetrin jashtë Shtëpisë së Bardhë ndërsa amerikanët u zgjuan të shtangur nga fitorja e Trump pas fushatës më përçarëse presidenciale në historinë e SHBA-së. Ndërkohë, qindra njerëz në kampuset e kolegjeve në Kaliforni dhe Oregon marshuan kundër zgjedhjet së republikanit në orët e para të mëngjesit. Protesta janë mbajtur në Oakland dhe Portland, duke kundërshtuar zgjedhjen e Donald Trump në postin e Presidentit. Rreth 500 persona u mblodhën para Shtëpisë së Bardhë në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, të shokuar dhe të trishtuar për fitoren e Trump, teksa mbanin banderola ku lexohej “Mirësevini në ferr” apo “Amerika do të urrejë sërish”. Trump arriti të merrte mbështetjen e një baze të gjerë të klasës së punëtorëve dhe të personave jo të arsimuar në kolegje, për të cilët ai premtoi se do të krijonte vendet më të mira të punës.  Lajmi i fitores së Donald Trumpit shkaktoi tërmet në tregjet aziatike të aksioneve. Në të gjithë rajonin, ato u mbyllën në ulje. Paratë vërshuan nëpër parajsa të sigurta aksionesh, floriri dhe valutash të ndryshme, përfshirë jenin. Indeksi japonez “Nikkei 225” ra me 5.4%. Përzgjedhja e Donald Trump si president për shumë kolegë politikanë ishte e papritur, ndërsa për populistët një lajm i mirë. Brukseli duket se ishte përgatitur për një skenar tjetër. Në një letër të përbashkët, Donald Tusk, kryetari i Këshillit Europian dhe Jean-Claude Juncker, presidenti i Komisionit Europian, pasi përgëzuan Trump i kërkuan të vinte në Europë për një samit urgjent SHBA-BE në mundësinë e parë që do t’i jepet pasi kontinenti i vjetër kërkon siguri mbi politikat e tij të cilat kanë tronditur liderët europianë. Por ka edhe nga ata që mezi e kanë pritur fitoren e Trump. Vladimir Putin zotohet të rivendosë plotësisht marrëdhëniet, deri më tani të tensionuara me Amerikën. Edhe Theresa May që udhëheq vendin ne skenarin e “Brexit” mirëpriti bashkëpunimin me presidentin e zgjedhur Donald Trump, duke garantuar sigurinë dhe prosperitetin e vendeve në vitet e ardhshme. Ndërsa kancelarja Merkel tha se nuk ka rëndësi kush qeveris vendin, Shtetet e Bashkuara mbeten aleati më i ngushtë i Gjermanisë. Donald Trump është presidenti i 45-i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke u bërë kështu edhe presidenti i parë që zgjidhet pa mbajtur më parë ndonjë post apo detyrë publike në administrate. Republikani do të marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë më 20 janar të vitit 2017 pas votimit në Kongres. Zgjedhjet e 8 nëntorit i dhanë fitoren republikanëve edhe në dy dhomat përfaqësuese – në senat dhe Kongres, cka pritet ta bëjë më të lehtë punën e Trump në miratimin e ligjeve.

Tags