Çfarë i pret sirianët pas fitores së Trumpit?
https://parstoday.ir/sq/news/world-i34681-Çfarë_i_pret_sirianët_pas_fitores_së_trumpit
Fitorja e republikanit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të SHBA ngre pikëpyetje të shumta rreth të ardhmes së politikës amerikane në Lindjen e Mesme, veçanërisht ndaj Sirisë në situatën e tanishme.
(last modified 2026-06-18T18:22:28+00:00 )
Nëntor 10, 2016 13:50 Europe/Tirane
  • Çfarë i pret sirianët pas fitores së Trumpit?

Fitorja e republikanit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të SHBA ngre pikëpyetje të shumta rreth të ardhmes së politikës amerikane në Lindjen e Mesme, veçanërisht ndaj Sirisë në situatën e tanishme.

 

Vlen të theksohet se fitorja e Trump në zgjedhje erdhi në kohën kur Siria, të cilën prej gati 6 viteve po e shkatërron lufta, po kalon një fazë vendimtare pas dështimit të marrëveshjeve ruso-amerikane rreth armëpushimit në Halep dhe koordinimit në luftën kundër terrorizmit. Pala amerikane e pezulloi pjesëmarrjen e saj në negociatat për Sirinë në varësi të pritjes së përfundimit të garës së brendshme zgjedhore.

Trump i ka hartuar më herët prioritetet e tij në lidhje me Lindjen e Mesme, duke vënë në krye të tyre luftën kundër terrorizmit, siç tha në debatin e dytë me demokraten Hillary Clinton se presidenti sirian Bashar Al-Asad është “burrë i keq”, porse ai e bën mirë “vrasjen e terroristëve”.

Trump e ka shprehur më hollësisht qëndrimin e tij ndaj Sirisë në një intervistë me gazetën “The Guardian”, të publikuar më 13 tetor, ku ai theksoi nevojën që Uashingtoni të fokusojë vëmendjen në trajtimin e çështjeve të brendshme, në vend të “ndërtimit të ndonjë shteti” jashtë.

Në atë intervistë,Trump ka thënë se pavarësisht nga rezervat e tij në lidhje me mundësinë e ndërhyrjes ushtarake, porse “ka situata të caktuara, kur ne shohim krime të tmerrshme .. duke përfshirë (atë që bën) ISIS”. Ndërsa Trump ka konfirmuar se ai është i gatshëm të përdorë forcën ushtarake në disa raste – “kur ka një çështje dhe ju mund ta zgjidhni atë çështje”, ai vuri në pikëpyetje fizibilitetin e pjesës më të madhe të ndërhyrjeve amerikane gjatë viteve të fundit në mbarë botën, duke përfshirë edhe atë që ai e përshkroi si politikë të pastudiuar të Obamas në Siri.

Në këtë drejtim, Trump risolli në mendje ndërhyrjen ushtarake amerikane për të përmbysur Sadam Husejnin, duke konsideruar se Iraku sot “është një katastrofë”, si dhe duke parashikuar rënien e vendit nën kontrollin e Iranit dhe të ISIS. Ai përfundoi duke thënë: “Mendoj se ne duhet të përqëndrohemi në veten tonë.”

 

E ardhmja e Asadit

Gjatë debatit, në përgjigje të Clinton e cila sulmoi Rusinë duke u shprehur se operacioni i saj ushtarak në Siri nuk ka absolutisht për qëllim organizatën ISIS, Trump tha: “Unë nuk jam i impresionuar aspak me Asadin, por Asadi vret ISIS-in. Rusia vret ISIS-in, Irani vret ISIS-in. Ndërsa tani, që të tre qëndrojë në një rresht për shkak të politikës tonë të dobët.”

Në një intervistë me agjencinë “Reuters”, Trump ka theksuar se shkatërrimi i organizatës ISIS ka prioritet ndaj bindjes së presidentit sirian Bashar al-Asad që të japë dorëheqjen.

Trump konfirmoi: “Ajo që ne duhet të bëjmë është të përqëndrohemi në organizatën ISIS, ne nuk duhet të fokusohemi mbi Sirinë.”

Ai tha se Asadi është shumë më i fortë tani sesa ishte tri vjet më parë. Gjithashtu shtoi se presioni mbi Asadin për t'u largar nga pushteti është më pak i rëndësishëm sesa mposhtja e ISIS.

Më pas shtoi: “Për mua Asadi vjen në përparësi pas organizatës ISIS.”

 

Opozita siriane

Trump shprehu dyshime në lidhje me natyrën e opozitës së armatosur siriane të mbështetur nga Uashingtoni dhe paralajmëroi se përfaqësuesit e asaj opozite mund të jenë besnikë ndaj ISIS.

Ai sulmoi politikën e administratës së Barack Obamas kundrejt Sirisë duke konsideruar se ajo mbështet “persona të cilëve nuk ua njohim identitetin” dhe paralajmëroi se këta “mund të jenë” të ISIS.

Ai shtoi: “Asadi është i keq, por këta njerëz mund të jenë më të këqij se ai.”

 

Operacioni ushtarak rus në Siri

Trump shprehu bindjen se presidenti rus Vladimir Putin “do ta godasë ISIS-in në Siri, sepse ai nuk do që organizata të drejtohet drejt Rusisë.”

Në intervistën për agjencinë “Reuters”, Trump ka thënë se plani i rivales së tij Clinton rreth Sirisë, i cili është një vazhdim i politikës së planit të presidentit në largim, Barack Obama, “do të çojë në një luftë të tretë botërore” për shkak të mundësisë së shpërthimit të një konflikti ushtarak me Rusinë.

Më tej qartësoi: “Tanimë nuk jeni duke luftuar më me Sirinë ... Ju po luftoni Sirinë, Rusinë dhe Iranin... E pra, Rusia është një vend bërthamor... por ajo është një vend, arma bërthamore e së cilës është përballë vendeve të tjera për cilat flisni.”

Po ashtu, Trump është shprehur edhe në shumë nga deklaratat e tij në lidhje me këmbënguljen e tij për të ndërtuar marrëdhënie të mira me Rusinë, duke përfshirë edhe bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit.

 

Asad: Nuk e humbas kohën time duke dëgjuar deklaratat e Clinton dhe Trump

Nga ana e tij, presidenti sirian Bashar al-Asad nuk u kushtoi rëndësi deklaratave të secilit prej Trump dhe Clinton rreth Sirisë, duke theksuar se ai nuk u beson atyre, pavarësisht asaj që thonë.

Në një intervistë me gazetën serbe “Politika” të publikuar më 3 nëntor, ai shtoi: “Mendoj se debati në lidhje me këto zgjedhje (amerikane), kudo në botë sillet rreth asaj se kush është më i miri... Clinton apo Trump... Ndërsa në Siri, debati (në lidhje me zgjedhjet amerikane) sillet rreth faktit se kush është më i keq, jo kush është më i mirë. Kështu, unë nuk mendoj se ndonjëri prej tyre do të jetë i mirë për ne.”

Ai theksoi: “Ne nuk u besojmë fjalëve të tyre... Ata nuk janë të sinqertë, pavarësisht nga ajo që ata thonë... në qofshin fjalë të mira apo të këqija.”

Presidenti al-Asad theksoi se politika amerikane do të varet nga grupet e presionit dhe nga ndikimi i rrymave të ndryshme politike në Shtetet e Bashkuara pas zgjedhjeve. Ai shtoi: “Prandaj, ne nuk e humbim kohën duke dëgjuar fjalët dhe predikimet e tyre... Kjo është thjesht një marrëzi.”