Shtainmair, president i mundshëm i Gjermanisë
Ministri i Jashtëm gjerman, i cili kohë më parë i referohej Donald Trumpit si një “predikues i urrejtjes”, është caktuar këtë të hënë për t’u bërë presidenti i ardhshëm i Gjermanisë.
Frank-Valter Shtainmair pritet të marrë rolin kryesisht ceremonial të kreut të shtetit nga Joachim Gauck, mandati 5-vjeçar i të cilit përfundon në shkurt. Agjencia gjermane e lajmeve “DPA” raportoi se partia konservatore e kancelares Angela Merkel do të mbështesë nominimin e Shtainmair për postin e presidentit. Së bashku me votat e Partisë Social-Demokratike të qendrës së majtë, ku bën pjesë edhe vet Shtainmair, veterani 60-vjeçar i politikës gjermane pritet të ketë mbështetjen e mjaftueshme të nevojshme për të kaluar edhe votimin mes 1.260 delegatëve që zgjedhin presidentin e ardhshëm të Gjermanisë më 12 shkurt. Udhëheqësi i socialdemokratëve, Sigmar Gabriel tha për gazetarët gjatë kësaj të hëne se, Shtainmair ka fituar respekt të gjerë dhe besimin e nevojshëm të kërkuar nga një post i tillë. Shtainmair, normalisht renditet mes politikanëve më popullorë të Gjermanisë. Edhe pse shquhet për zellin e tij diplomatik, Shtainmair kritikoi ashpër presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, gjatë fushatës së tij për zgjedhjet presidenciale amerikane.