Zgjedhjet e Trump dhe vazhdimi i shqetësimeve
(last modified Sun, 20 Nov 2016 19:06:40 GMT )
Nëntor 20, 2016 20:06 Europe/Tirane
  • Zgjedhjet e Trump dhe vazhdimi i shqetësimeve

Trump po vazhdon përpjekjet për formimin e administratës së re amerikane.

Presidenti i zgjedhur Donald Trump, do të takohet me një nga kritikët më të mëdhenj të tij, Mitt Romney, teksa biznesmeni vazhdon të ndërtojë skuadrën e tij tranzicionale. Mediat spekulojnë se ata do të diskutojnë mes tyre mbi postin e Sekretarit të Shtetit. Gjatë fushatës zgjedhore, Romney e ka quajtur Trump një “mashtrues” dhe “hipokrit”, ndërkohë që Trump ka deklaruar se fushata jo e suksesshme e Romney ndaj Obama-s në 2012, ishte më e keqja në histori. I pyetur për takimin me Romney-n, një zëdhënës i tranzicionit presidencial, u shpreh se Trump po rekruton personat më të aftë që do të ndihmojnë në progresin e vendit, pa bërë dallime mes atyre të cilët e mbështetën ose jo. Biseda me Romney-n pritet të jetë një mundësi për presidentin e ri për të dëgjuar idetë e tij dhe më pas për të vendosur nëse ai do t’i bashkohet ekipit tranzicional ose jo. Posti i Sekretarit të Shtetit është ende në diskutim, pavarësisht faktit se emri i ish-kryebashkiakut të Nju Jorkut, Rudy Giuliani, mbetet ndër më të lakuarit nga media. Donald Trump duket shumë i interesuar ta ketë në radhët e administratës së tij gjeneralin në pension të marinës, James Mattis, i konsideruar tashmë si kandidati kryesor për postin e Sekretarit të Mbrojtjes. Zyrtarë të përfshirë në procesin e kalimit të pushtetit në Amerikë  thanë se Trump dhe Mattis u takuan për mbi një orë në Nju Xhersi. Burimet thonë se vendosja në krye të Pentagonit e gjeneralit me katër yje mbi supe nuk është vulosur ende, por presidentit të zgjedhur i ka bërë shumë përshtypje rezymeja e 66-vjeçarit. Mattis është vlerësuar lart sidomos për mënyrën se si udhëhoqi marinsat në betejën e Falluxhës ku forcat amerikane kanë përdorur masivisht municione me uranium të varfëruar dhe fosfor të bardhë, në vitin 2004, një ndër më të përgjakshmet e luftës së Irakut. Ai ka shërbyer ndër të tjera edhe si drejtues i një komande strategjike të NATO-s në Norfolk të Virxhinias. Nepotizmi i treguar nga Donald Trump, dhjetë ditë pas fitores në zgjedhjet presidenciale, ka krijuar shqetësim për mundësinë që ai të vërë interesat personale mbi ato shtetërore dhe në Shtëpinë e Bardhë të hynë persona pa përvojë. Gjatë takimit të parë të zhvilluar me një lider të huaj, u duk qartë nepotizmi i presidentit të zgjedhur amerikan. Gjatë takimit ët zhvilluar të enjten me kryeministrin japonez Shinzo Abe, së bashku me Donald Trump ishin ulur vajza dhe dhëndëri i tij.  Prania e Ivanka Trump dhe e burrit të saj jahudi Xhard Kushner në takimin me delegacionin japonez në kullën Trump në Manhaten të Nju Jorkut, ka shkaktuar kritika të shumta në qarqet politike amerikane. Ivanka Donald Junior dhe Erik, janë tre fëmijët e rritur nga Donald Trump. Aktualisht nuk kanë asnjë post shtetëror, por prania e tyre në një takim zyrtar mund të justifikojë shqetësimet se anëtarët e familjes Trump mund të luajnë rol të rëndësishëm në administratën e ardhshme amerikane. Aktualisht Trump ka emëruar dhëndrin e tij Xhard Kushner si këshilltar të lartë të Shtëpisë së Bardhë dhe ky veprim bie në kundërshtim me Kushtetutën e SHBA, ku theksohet se nepotizmi në postet shtetërore është plotësisht i ndaluar.