Ndërron jetë Fidel Castro
Ish-presidenti dhe udhëheqësi i revolucionit komunist në Kubë, vdiq në moshën 90-vjeçare. Fidel Castro ka ndërruar jetë në orën 22:30 minuta të së premtes me orën lokale.
Lajmi është konfirmuar nga Presidenti dhe i vëllai i tij, Raul Castro. Fidel Castro udhëhoqi Kubën me dorë të hekurt për thuajse pesë dekada, para se të kalonte pushtetin tek i vëllai Raul në vitin 2008. Mbështetësit thonë se ai i ktheu pushtetin popullit kuban, ndërsa kritikët e akuzojnë se ka shtypur pa mëshirë opozitën ndër vite. Fidel Castro u lind në jug të Kubës në vitin 1926. Në vitin 1953 burgoset pas përpjekjes së dështuar për të rrëzuar regjimin e Batistas. Dy vite më vonë lirohet falë një amnistie. Pak muaj pasi doli nga burgu, bashkohet me Che Guevaran dhe nis një luftë guerrile kundër Qeverisë. Në vitin 1959 arrin të mposhtë Batistan dhe betohet si Kryeministri i ri i vendit.