OKB alarmohet për fatin e civilëve në Alepo
Afro 16 mijë civilë janë zhvendosur nga zonat e kontrolluara prej terroristëve në qytetin e Alepos.
Shefi për çështjet humanitare në OKB, Stephen O’Brien thotë se mijëra të tjerë do të tentojnë të largohen, nëse luftimet do të vazhdojnë të intensifikohen gjatë ditëve në vijim. Ai shprehu shqetësim të thellë në lidhje me fatin e tyre, ndërkohë që situatën aktuale e cilësoi si tejet alarmuese. Ushtarët sirianë kanë rimarrë nën kontroll thuajse një të tretën e pjesës lindore të Alepos që prej fundjavës, zonë e kontrolluar prej terroristëve. Përgjatë natës, të paktën 18 persona u vranë pas sulmeve ajrore të forcave besnike të presidentit sirian, të ndërmarra në zonat që ende janë nën kontrollin e rebelëve, përfshi këtu 12 viktimat në distriktin Shaar, shumë pranë frontit të luftës në veri, siç bën të ditur organizmi monitorues me seli në Londër, Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut.