Turqia duhet të mobilizohet në luftën kundër terrorizmit
https://parstoday.ir/sq/news/world-i38617-turqia_duhet_të_mobilizohet_në_luftën_kundër_terrorizmit
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka bërë thirrje për një mobilizim kombëtar kundër të gjitha organizatave terroriste.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Dhjetor 15, 2016 12:41 Europe/Tirane
  • Turqia duhet të mobilizohet në luftën kundër terrorizmit

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka bërë thirrje për një mobilizim kombëtar kundër të gjitha organizatave terroriste.

“Si kreu i Republikës së Turqisë, bazuar mbi nenin 104 të Kushtetutës sonë, deklaroj mobilizimin kombëtar kundër të gjitha organizatave terroriste të lidhura me PKK-në (partia e jashtëligjshme e Punëtorëve të Kurdistanit), DAESH-in (akronimi arab i Shtetit Islamik në Irak dhe Levant), FETO-n (organizatës terroriste gyleniste), DHKP-C (partisë apo frontit për Çlirimin e Popullit Revolucionar), dhe të tjerëve, cilidoqoftë emri i tyre, diskurset apo metodat”, tha Erdogan përpara krerëve komunalë në Pallatin Presidencial gjatë kësaj të mërkure. “Kushdo që ka informacione mbi aktivitetet e këtyre organizatave duhet të informojë urgjentisht forcat tona të sigurisë”, shtoi më tej presidenti turk. Erdogan nxiti gjithashtu forcat e sigurisë të mos hezitojnë të ushtrojnë autoritetin e tyre deri në fund. Ai theksoi se plot 1.178 persona janë vrarë gjatë luftimeve me PKK-në gjatë këtij viti, rreth 330 të tjerë janë vrarë nga sulmet e ISIS, sikurse edhe 248 viktimat e shënuar gjatë përpjekjes së dështuar për grusht shteti më 15 korrik. Presidenti turk tha gjithashtu se 17 ushtarë kanë mbetur të vdekur gjatë Operacionit për Mbrojtjen e Eufratit, që nisi më 20 gusht në veri të Sirisë për të pastruar kufirin turk nga militantët e ISIS dhe organizatave të tjera terroriste. Në serinë e fundit të sulmeve terroriste në Turqi, 44 persona, 37 prej të cilëve oficerë policie, u vranë pas dy shpërthimeve me bomba në lagjen “Beshiktash” të Stambollit, më 10 dhjetor. Sipas Erdoganit, rreth 9.500 militantë të PKK-së, përfshi edhe figura të larta, janë vrarë, plagosur ose kapur gjatë operacioneve të zhvilluara brenda dhe jashtë kufijve.