Reagimi i qeverisë polake ndaj protestave të opozitës
Kryeministrja e Polonisë znj. Beata Szydlo e cilësoi si skandaloze protestën e opozitës dhe justifikim për humbjen e zgjedhjeve të 2015 pas 8 vitesh qeverisje
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm polak Witold Waszykowski, deklaroi se opozita po përpiqet të zgjerojë protestat me shpresën se mund të rimarrë pushtetin e humbur. Ai kritikoi edhe mënyrën e mbulimit të protestave nga ana e mediave. Opozita polake ka bllokuar sallën kryesore të Parlamentit për të katërtën ditë sot në shenjë proteste kundër partisë në pushtet, të cilën e akuzon për minim të demokracisë dhe kushtetutës së vendit. Protestuesit shprehen të vendosur se do të vijojnë bllokimin deri sa të shohin rezultate konkrete, teksa kryeministrja e vendit e ka quajtur skandaloze sjelljen e opozitës. Gjithçka nisi të premten, kur ligjvënësit opozitarë kundërshtuan planet e partisë në pushtet “Ligj dhe Drejtësi” për të reduktuar qasjen e medias në Parlament dhe bllokuan sallën pak përpara se të votohej buxheti. Deputetët e partisë “Ligj dhe drejtësi” u zhvendosën në një zonë tjetër, ku ndalohet hyrja e gazetarëve, e kjo nxiti akuzat se e kanë miratuar në mënyrë të paligjshme buxhetin e 2017-s, duke shkelur kështu Kushtetutën. Por protesta e opozitës ka patur edhe kundër protestë, ku qindra mbështetës të kreut të partisë Ligj dhe Drejtësi, Jaroslav Kazinski, u mblodhën para pallatit presidencial në Varshavë në mbështetje për qeverinë.