Asnjë i mbijetuar nga rrëzimi i avionit rus
Një avion ushtarak rus me 92 persona në bord është rrëzuar në Detin e Zi, sipas komunikatës së Ministrisë ruse të Mbrojtjes.
Avioni u zhduk nga radari vetëm 20 minuta pas nisjes nga resorti i Sochi-t në orën 02:20 me orën lokale. Deri më tani, është bërë e mundur gjetja e vetëm njërit prej trupave dhe disa fragmenteve të avionit. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, mjeti i tipit Tu-154 transportonte, 64 anëtarë të grupit të famshëm ushtarak Aleksandrov, tetë ushtarë, nëntë gazetarë, dy nëpunës civilë, një anëtar të një organizate jo-qeveritare dhe tetë pjestarë të ekuipazhit. Fluturimi ishte nisur nga Moska dhe kishte kryer një ulje në aeroportin Adler në Sochi për rifurnizim me karburant, ndërkohë që destinacioni i udhëtimit ishte qyteti i Latakias në Siri. Shpëtues lokalë kanë thënë për mediat se deri më tani nuk janë gjetur të mbijetuar, ndërkohë që fragmente të avionit janë gjetur 1.5 km larg bregut të Detit të Zi në qytetin e Sochit, në një thellësi deri 70 metra. Raportimet nga zona thonë se kushtet e fluturimit kanë qenë të favorshme. Autoritetet ruse kanë nisur një hetim për të përcaktuar nëse ka patur shkelje të rregullores së sigurisë për transportin ajror.