Kryqi i Kuq: Shëndetësia në Britani në krizë humanitare
(last modified Sat, 07 Jan 2017 21:40:07 GMT )
Janar 07, 2017 22:40 Europe/Tirane
  • Kryqi i Kuq: Shëndetësia në Britani në krizë humanitare

Shërbimi shëndetësor britanik është përfshirë nga një krizë humanitare që kërkon mbështetjen e Kryqit të Kuq dhe përdorimin e “Land Roverave” për të transportuar pacientët.

Komentet janë të vetë Kryqit të Kuq britanik, i cili në faqen e tij të internetit, krahas apeleve për ndihmë për Jemenin dhe Sirinë, shkruan se gjendet në vijën e frontit duke iu përgjigjur krizës humanitare tek spitalet britanike dhe shërbimit të ambulancave në të gjithë vendin. Shërbimi shëndetësor kombëtar britanik u themelua në vitin 1948, por shkurtimet në buxhet, plakja e popullsisë dhe nevojat mjekësore gjithnjë e më komplekse të kombinuara bashkë gjatë viteve të fundit, kanë bërë që shumë spitale të kenë vështirësi sidomos gjatë dimrit, gjë që ka nxitur tituj gazetash për pacientë që presin në barela me orë apo edhe ditë. Kryqi i Kuq britanik lajmëron se në ditët e fundit, jo vetëm që ka angazhuar vullnetarët e tij të emergjencës, por ka kërkuar ndihmë nga “Land Rover” që ka siguruar makina për transportin e pacientëve. Gjatë viteve të fundit, organizatat bamirëse dhe shumë politikanë kanë paralajmëruar se shkurtimet e ndihmës sociale kanë bërë që gjithnjë e më shumë të moshuar dhe pacientët të mos kurohen në shtëpi, por të shkojnë në spitale, duke i ngarkuar këto të fundit tej mase. Kryqi i Kuq britanik tha se pikërisht për këtë arsye po ndihmon njerëzit që të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të kurohen atje që të lirohen shtretërit në spitale.

 

Tags